Ekzaktësisht përpara një muaji, më 19 korrik, Spanja u shpall kampione e botës për herë të dytë në historinë e saj. Nën drejtimin e Luis De La Fuente, La Roja iu imponua me autoritet në finale Argjentinës, duke e mundur 1-0.
Disa orë pas finales lindën teoritë konspirative rreth këtij takimi, që ndër të tjera linin të nënkuptohej se futbollistët e skuadrës Albiceleste e dorëzuan finalen. Një muaj më vonë, presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Claudio Tapia, reagoi nëpërmjet një komunikate në rrjetet sociale duke dënuar me forcë këto akuza dhe fushatën që i shoqëroi.
Tapia shprehu pakënaqësinë e tij ndaj asaj që e përshkroi si një muaj gënjeshtrash dhe një fushatë mjeruese, duke shkruar: “Një muaj me gënjeshtra dhe një fushatë e mjerueshme për të krijuar idenë se kjo Kombëtare ishte dorëzuar – nuk duhet që të lejohet të gënjehet, të sajohet një histori, të ushqehen dyshimet prej ditësh dhe kur koha tregon se gjithçka ishte tym, të fshihet dhe të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë.”
Ai vijoi me tone të ashpra duke theksuar se ndërsa futbollistët dhanë gjithçka në fushë, pati aktorë jashtë saj që shpërndanë urrejtje dhe kërkuan të shkatërronin imazhin e ekipit. Në komunikatën e tij pati edhe këtë përshkrim: “Ndërsa futbollistët tanë dhanë gjithçka në fushën e lojës, kishte nga ata që jashtë saj shpërndanin urrejtje, kërkonin të shkatërronin imazhin e një kombëtareje që fitoi respektin e miliona njerëzve. Nuk do të mund ta fshijnë atë që bënë, nga trajtimi si tradhtarë të futbollistëve të kombëtares, nuk ka kthim pas.”
Tapia kërkoi gjithashtu kërkim-falje për skuadrën Albiceleste, duke nënvizuar se kur lojtarët akuzohen dhe lëndohen publikisht, kërkimi i faljes është një detyrim: “Kur akuzohen, gënjehet dhe lëndohen publikisht ata që dhanë gjithçka për këtë fanellë, të kërkosh falje nuk është një favor. Është një detyrim – ata që dhanë shpirtin nuk kanë pse të japin shpjegime, ata që gënjyen po’.”

