Profili i presidentit të ardhshëm të Kosovës ishte tema qendrore e diskutimit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në takimin e së martës mbrëma. Liderët e dy partive, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, nuk dhanë emra konkret, duke thënë se do t’i diskutojnë fillimisht brenda forcave të tyre, por u bë e ditur se në takim u përmendën emrat e profesorit Ibrahim Berisha dhe të nënkryetarit të Kuvendit Krahinor në të 90-tat, Iljaz Ramajli.
Ibrahim Berisha ka refuzuar përfshirjen në diskutime për kandidaturë, duke deklaruar se fokusi i tij mbetet në fushën e kulturës, letërsisë dhe komunikimit. Familja e Iljaz Ramajlit tha se ai nuk do të pranojë të jetë kandidat. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një figurë që nuk do të jetë sfiduese për kryeministrin Albin Kurti. Analisti Arnbor Sadiku u citua duke thënë: “Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një president i cili është le të themi jo ambicioz në politikë, por një njeri që pothuajse i ka skaduar karriera dhe si i tillë nuk i bën konkurrencë z. Kurtit, por është më tepër si rojtar i shtëpisë”.
Kurti dhe Abdixhiku ranë dakord që në takimin e ardhshëm të propozojnë emra konkretë për postin e presidentit, por njohësit shprehen të paoptimistë për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë. Njëri prej tyre u shpreh: “Mund të themi që është e vërtetë e ka pak shpresë që mund të gjendet një opsion për faktin që partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, që nga fillimi vërehet që ka synim që vendi të shkojë në zgjedhje”.
Kosova është me ushtrues detyre të presidentit që nga përfundimi i mandatit të Vjosa Osmanit. Për shkak të moszgjedhjes së presidentit të ri, vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor. Që nga ajo kohë, sipas raportimit, Kosova nuk ka institucione funksionale, pasi as Kuvendi nuk është konstituar brenda afatit kushtetues.

