Drejtimi i mjetit mbi limitin e shpejtësisë dyshohet se çoi në aksidentin e mëngjesit të kësaj të mërkure ku humbën jetën tre të rinj në Durrës. Shpejtësia përmendet si një nga shkeljet kryesore që vazhdon të përsëritet, pavarësisht ashpërsimit të masave administrative dhe ligjore.
Top Channel ka mësuar se në vetëm një javë blutë në të gjithë vendin kanë pezulluar më shumë se 1,500 patenta vetëm për shkelje të limitit të shpejtësisë. Ekspertët vënë në dukje se shpejtësia, kur shoqërohet edhe me mungesë sinjalistike, bëhet fatale për drejtuesit dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës.
“Shpejtësia s’i jep kohë drejtuesit të manovrojë. Ajo rrugë ka kthesa të rrezikshme. Duhet më shumë sinjalistikë”, tha eksperti Gëzim Hoxha, duke theksuar nevojën për përmirësim të shenjave dhe sinjalistikës në segmente rrugore të rrezikshme.
Për të parandaluar aksidentet, para dy javësh u ndryshuan disa nene të Kodit Rrugor. Ndryshimet përfshijnë heqjen përjetë të patentës për përsëritësit e kapur me alkool, ndërsa përdorimi i celularit gjatë drejtimit tani mund të sjellë pezullimin e patentës. Gjithashtu, gjobat për manovra të rrezikshme u rritën deri në 60,000 lekë.
Megjithatë, sipas ekspertëve, këto masa nuk mjaftojnë. Hoxha kërkon që pas çdo aksidenti të kryhet një hetim i thelluar që të përfshijë makinerinë, gjendjen e rrugës, sinjalistikën dhe sjelljen e drejtuesit, dhe më pas të hartohen rregullore dhe vendime të Këshillit të Ministrave (VKM) për masat parandaluese: “Pas çdo aksidenti duhet bërë një hetim i thelluar: makina, rruga, sinjalistika, drejtuesi, pastaj të hartohen rregullore e VKM”, tha ai.
Pavarësisht ndryshimeve të herëpashershme të Kodit Rrugor dhe fushatave nga Policia Rrugore, numri i viktimave në rrugë çdo vit vazhdon të jetë shqetësues, sipas të dhënave dhe vlerësimeve të përmendura nga ekspertët.

