Tre persona kanë humbur jetën dhe një vajzë e re ndodhet në gjendje kritike pas një incidenti në West Sussex të Britanisë. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, kur peshkatarët vunë re katër anëtarë të një familjeje në vështirësi serioze në det, ndërsa ujërat ishin të trazuara.
Autoritetet konfirmuan se një burrë, një grua dhe një vajzë adoleshente gjetën vdekjen pavarësisht përpjekjeve të shpëtimtarëve. Një vajzë më e vogël u dërgua në spital dhe aktualisht është në gjendje kritike. Të katër personat thuhet se i përkisnin të njëjtës familje, e cila kishte qenë duke ngritur kamping pranë zonës ku ndodhi incidenti në javët e fundit.
Dëshmitarët raportuan se incidenti mund të ketë filluar kur njëri prej fëmijëve u ngatërrua në një rrjetë peshkimi ndërsa po notonte. Joe Crisp, 24 vjeç, tha se një peshkatar vendas i kishte thënë se në ujë kishte “dy të rritur dhe dy fëmijë” dhe se njëri prej fëmijëve dukej i kapur në një rrjetë peshkimi. Një peshkatar raportohet se arriti të nxirrte një nga fëmijët nga deti dhe më pas ngriti alarmin.
Pas raportimeve fillestare për katër persona në rrezik, u mobilizuan shërbimet e emergjencës: ambulanca, dy helikopterë dhe roja bregdetare. Shpëtimi u bë në kushte të vështira për shkak të ujërave të trazuar. Megjithatë, përpjekjet e shpëtimtarëve nuk mjaftuan për të shpëtuar tre anëtarët e familjes.
Policia ka nisur një hetim për të përcaktuar saktësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes. Emrat e tre personave që humbën jetën nuk janë bërë ende të ditur. Raportimet lokale thonë se familja kishte qenë duke bërë kamping pranë portit në periudhën para incidentit.

