Vazhdojnë veprimet e operacionit policor të koduar “Stolen line”, kundër trafikimit në Shqipëri të automjeteve luksoze të dyshuara të vjedhura jashtë shtetit. Në Tiranë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme sekuestruan tre automjete luksoze, me vlerë totale rreth 450 000 euro, të dyshuara të vjedhura në Gjermani. Automjetet e sekuestruara janë: Mercedes Benz G-Class 63 AMG, me vlerë rreth 200 000 euro; Mercedes Benz GT 63 AMG, me vlerë rreth 150 000 euro; dhe Mercedes Benz S-Class 580e, me vlerë rreth 100 000 euro.
Në momentin e konstativë policore u proceduan penalisht në gjendje të lirë tre persona që po drejtonin automjetet: E. H., 41 vjeç; S. U., 27 vjeç; dhe K. B., 39 vjeç. Gjatë hetimeve u identifikuan gjithashtu dy persona që dyshohen si trafikues të automjeteve në Shqipëri dhe janë shpallur në kërkim: F. D., 24 vjeç, dhe K. V., 22 vjeç. Autoritetet i akuzojnë këta të fundit se kanë trafikuar automjetet me qëllim shitjen e tyre.
Policia njofton se po vijon puna për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm. Materialet procedurale lidhur me rastin janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Operacioni “Stolen line” synon goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë vendit; ky rast u zbulua si rezultat i punës hetimore të seksionit të specializuar për hetimin e trafiqeve të paligjshme. Policia thekson se veprimet vijojnë deri në përfundimin e dokumentimit dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

