Më shumë britanikë mendojnë se përpjekjet për të ndaluar kalimet me gomone drejt brigjeve angleze përmes ngushticës së La Manshit do të kenë më shumë efekt nëse do të ketë përballje me Francën sesa përmes bashkëpunimit të deritanishëm. Ky është konkluzioni i një sondazhi ekskluziv të kompanisë YouGov në emër të Sky News. Votuesit e dy partive kryesore të së djathtës janë më të prirur për këtë pikëpamje: 57% e votuesve konservatorë dhe 79% e votuesve të partisë Reforma të Nigel Farage preferojnë përballjen me Francën.
Në anën tjetër, mbështetësit e partive të majta dhe të qendrës janë më tepër pro bashkëpunimit me Francën. Sondazhi tregon se vetëm 24% e votuesve laburistë dhe të Liberal Demokratëve dhe 19% e të Gjelbërve mbështesin një pritje më konfrontuese. Për më tepër, rreth 40% e britanikëve besojnë gabimisht se numri i kalimeve me gomone është rritur këtë vit në krahasim me të kaluarën; kjo perceptim predominon te votuesit e partive të djathta.
Të dhënat operative tregojnë një realitet tjetër: deri në gusht të këtij viti kalimet me gomone janë më të ulëta që nga viti 2021, ndërsa kulmi i tyre u arrit në 2022. Deri më sot, rreth 16 mijë emigrantë kanë kaluar me gomone përmes La Manshit, një rënie prej 43% në krahasim me një vit më parë.
Ekziston një pakënaqësi në rritje ndaj Francës pasi që gjatë këtyre viteve Londra ka dhënë rreth 1 miliard paund financime për patrullim në një pjesë relativisht të vogël të veriperëndimit të Francës. Investimet për interceptim dhe patrullim nga pala franceze nuk kanë frenuar, sipas perceptimit britanik, kalimet në nivelin që dëshirojnë britanikët.
Ndërkaq, Liberal Demokratët e qendrës fajësojnë Brexit-in për problemet aktuale, duke argumentuar se dalja e Britanisë nga BE-ja krijoi boshllëqe në aksesin në databazën biometrike të BE-së. Kjo, së bashku me pamundësinë e rikthimit të emigrantëve në vendet prej nga vijnë apo në vendin e parë të sigurt brenda BE-së, trashëgon problemin që ekzistonte edhe para Brexit-it me Marrëveshjen e Dublinit, e cila nuk ishte plotësisht efektive.

