Magda Suljoti, inxhiniere ndërtimi dhe eksperte zjarrfikëse, ka pasur për 9 vite rresht certifikata nga Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrfikësve deri në mars 2024, që i jepnin të drejtën të kryente edhe detyrën si trajnuse bazë në fushën e mbrojtjes nga zjarri. Sipas ligjit nr. 152 “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, subjektet detyrohen të marrin masa parandaluese, duke përfshirë kontrollin e sistemeve dhe trajnimin periodik të personelit; ekspertët janë përgjegjës të mësojnë stafin si të veprojë në rast zjarri.
Në nëntor 2024 ministri i Brendshëm i asaj kohe, Ervin Hoxha, me udhëzimin nr. 64 ndryshoi kriteret për dhënien e certifikatave për ushtrimin e aktivitetit privat në fushën e mbrojtjes ndaj zjarrit. Sipas udhëzimit, kriteret janë: “Të kesh qenë ekspert zjarrfikës, pra të kesh punuar pranë shërbimit zjarrfikës të paktën për 3 vite; Të jesh i/e certifikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrfikësve, pra nga Akademia e Sigurisë; Të jesh i/e trajnuar në një shkollë jashtë vendit.” Kërkesat e reja shkaktuan tkurrjen e numrit të ekspertëve në të gjithë Shqipërinë, pasi ato u plotësuan vetëm nga shtatë individë.
Suljoti thotë se ishte e certifikuar dhe kishte rifreskuar certifikatën e saj edhe në 2024, por kur kërkoi të qëndrojë në trajnime i është ndaluar kjo e drejtë për shkak të kërkesave të reja që nuk lejojnë rifreskimin apo mbajtjen e certifikatës. Një nga kushtet për të marrë statusin e trajnueses private është certifikimi në Akademinë e Sigurisë. Magda, sipas korrespondencës me e-mail, ka shprehur gatishmërinë për t’u certifikuar në Akademi, por Ministria e Brendshme nuk ka plotësuar kushtet për interesantët, pasi Akademia e Sigurisë nuk ka ende një plan mësimor për këta ekspertë.
Sipas inxhinières, zjarret në qendra tregtare apo hotele mund të parandalohen nëse stafi merr mësime praktike për veprimin në raste zjarri. Megjithatë, numri i vogël i ekspertëve zjarrfikës bën që shumë herë trajnimet të realizohen vetëm në letër. “Unë mendoj që ky numër i vogël nuk e përballon dot fluksin, pasi aktivitetet janë të shumta. Nuk kanë mundësi t’i përballojnë në kohë, fizikisht, e jo më të tjera”, u shpreh ajo. Top Channel.

