Një person ka humbur jetën dhe qindra të tjerë kanë shfaqur probleme shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar pas një shpërthimi të salmonelës, që dyshohet të lidhet me konsumimin e ushqimeve të përgatitura me vezë të importuara. Autoriteti i Sigurisë Shëndetësore i Mbretërisë së Bashkuar ka nisur një hetim për 207 raste të regjistruara gjatë vitit të kaluar, shumica e të cilave janë raportuar gjatë javëve të fundit.
Nga 207 rastet e hetuara, 199 janë shënuar në Angli; 47 prej tyre në Londër dhe 38 në rajonin Yorkshire dhe Humber. Më shumë se një e treta e personave të infektuar ka kërkuar trajtim në spital. Mes të prekurve janë foshnje, ndërsa mosha e pacientëve arrin deri në 90 vjeç. Dy persona kanë pasur probleme të rënda, ndërsa shumica e pacientëve janë shëruar pa nevojë për trajtim specifik, sipas BBC. Një vdekje është konfirmuar në lidhje me shpërthimin.
Simptomat e infeksionit nga salmonela përfshijnë dhimbje stomaku, diarre, të vjella dhe ethe, dhe zakonisht shfaqen 12 deri në 72 orë pas ekspozimit. Bakteri i salmonelës mund të gjendet në mish dhe shpendë të papjekura mirë, si dhe në vezë. Rekomandohet përgatitje dhe gatim i duhur i ushqimit për të ndihmuar në parandalimin e infeksionit, si dhe larja e duarve pas përdorimit të tualetit dhe para përgatitjes ose prekjes së ushqimit.
Në Mbretërinë e Bashkuar regjistrohen çdo vit mijëra raste të helmimit ushqimor të shkaktuara nga lloje të ndryshme të salmonelës. Megjithatë, shpërthimet që lidhen me një lloj specifik të bakterit dhe që prekin një numër të madh njerëzish në të njëjtën kohë janë më të rralla. Autoritetet shëndetësore po vazhdojnë hetimin për të përcaktuar burimin e saktë të shpërthimit dhe masat e nevojshme për kontrollin e përhapjes.

