Më 16 gusht 2026, rreth orës 03:20, në rrugën “Butrinti” në Sarandë, në ambientet e jashtme të një lokali nisi një konflikt fizik midis rojeve të sigurisë së lokalit dhe disa personave të tjerë. Rojet nuk kishin njoftuar shërbimet e Policisë. Gjatë ngjarjes, Shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nënkomisar M. B., kaloi me mjetin e tij dhe, pasi konstatoi konfliktin, ndaloi, u prezantua me detyrën dhe u përpoq ta parandalonte përshkallëzimin. Rojet e sigurisë nuk e ndalën përplasjen, por filluan të godisnin edhe Shefin e Hetimit; ai u mbrojt dhe arriti të kontaktojë shërbimet e Policisë për ndihmë.
Pas rreth një minute, në vendngjarje mbërritën Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat neutralizuan përshkallëzimin e konfliktit dhe shoqëruan disa persona të pranishëm. Policia kryeu kontrolle të mëtejshme dhe në një banesë në fshatin Gjashtë, Sarandë, lokalizoi dhe shoqëroi pjesën tjetër të rojeve të lokalit.
Në vijim të veprimeve, me bashkëpunim të Oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe Prokurorisë Sarandë, u arrestuan: K., 35 vjeç, administrator i lokalit ku ndodhi konflikti; N., 38 vjeç; F. H., 35 vjeç; I. Ç., 34 vjeç; A. K., 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr dhe roje sigurie në të njëjtin lokal; dhe B. S., 29 vjeç, taksist. U shpall në kërkim edhe P. D., 28 vjeç, roje sigurie në të njëjtin lokal.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pezulloi menjëherë nga detyra dhe urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë hetimin disiplinor ndaj dy punonjësve të Policisë: Inspektor A. Sh., efektiv i Repartit “RESI”, dhe nënkomisar A. B., efektiv i RENEA-s. Sipas njoftimit, këta punonjës ishin të dypunësuar pa leje në lokalin ku ndodhi konflikti, nuk kishin njoftuar Policinë dhe nuk ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin, pavarësisht se ishin jashtë detyre. Drejtoria e Standardeve Profesionale ka dërguar një grup pune në Sarandë për hetim disiplinor.
Hetimet për vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë vazhdojnë nga Prokuroria.

