Gjashtë persona u lënduan nga zjarri që përfshiu një hotel në Vlorë në orët e para të mëngjesit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të lënduarit morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa pesë prej tyre u transportuan në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Dy prej të dëmtuarve kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një person vazhdon të trajtohet në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa pjesa tjetër është dërguar në institucione shëndetësore të kryeqytetit.
Në QSUT janë paraqitur tre qytetarë që aktualisht po marrin trajtim mjekësor. Njëra prej pacientëve paraqitet në gjendje të rënduar për shkak të përqindjes së lartë të djegieve dhe kërkon monitorim dhe kujdes të vazhdueshëm mjekësor. Pacienti tjetër klinikisht paraqitet më i qetë dhe po ndiqet nga stafi mjekësor.
Në Spitalin Universitar të Traumës po trajtohen dy paciente që kanë paraqitur dëmtime të shumta. Njëra prej tyre është në gjendje të stabilizuar dhe vijon të jetë nën kujdesin e stafit mjekësor. Pacientja tjetër, edhe pse aktualisht në gjendje të stabilizuar, për shkak të dëmtimeve do të qëndrojë nën monitorim intensiv dhe të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.
Autoritetet shëndetësore po ndjekin nga afër gjendjen e të lënduarve, dhe stafet mjekësore do të vazhdojnë të ofrojnë trajtimin e nevojshëm.

