Në 24 orët e fundit janë raportuar 43 vatra zjarri, prej të cilave 10 mbeten aktive dhe 3 janë nën monitorim (16 gusht 2026, ora 09:00). Për përballimin e zjarreve janë angazhuar 499 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura (FA) kanë ofruar mbështetje me 120 efektivë, 5 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor; aktualisht në terren po operojnë 120 efektivë të FA, 3 helikopterë dhe 2 Air Tractor.
Autoritetet bëjnë me dije se operacionet vijojnë në disa vatra problematike, por nuk ka rrezik për zonat e banuara në vatrat kryesore aktive. Vatrat kryesore dhe situata e angazhimit janë:
– Mali i Dajtit, Tiranë: Puna për shuarjen e zjarrit vazhdon. Operacioni mbështetet nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara. Vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
– Vakumone, Shëngjergj: Vatra mbetet aktive. Në ndërhyrje janë përfshirë MZSH, vullnetarë dhe strukturat e Njësisë Administrative Shëngjergj. Nuk ka rrezik për banesat.
– Gurë-Lurë, Dibër: Një nga operacionet më të mëdha në terren. Janë angazhuar 120 forca bashkiake, 20 forca policore, 11 ADZM, 15 efektivë MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka ndaluar avancimin drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
– Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë: Në operacion janë angazhuar 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës, pa rrezik për banesat.
– Abaze, Krujë: Zjarri mbetet aktiv me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Vatra në Zidoll është në monitorim.
– Lufaj dhe Thari, Mirditë: Në Lufaj vijon hapja e korridoreve ndarëse. Në Thari është evidentuar një vatër e re; ekipe të MZSH janë nisur në vend dhe është dërguar 1 helikopter në mbështetje.
– Fushë-Lajë dhe Rrjoll, Shkodër: Në Fushë-Lajë vijon puna në terren të thyer; në Rrjoll, për shkak të terrenit të paarritshëm, situata monitorohet dhe është përdorur dron për evidentimin e shtrirjes së vatrës.
– Dardhë, Librazhd: MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake vijojnë punën për shuarjen e vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
AKMC, përmes QKOEC, vijon monitorimin dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin.

