Ministria e Mbrojtjes njofton se, përditësimi i situatës deri në orën 14:00 të 15 gushtit 2026, evidenton 12 vatra zjarri: 9 vatra aktive, 2 nën monitorim dhe 1 e shuar plotësisht. Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar 285 forca operacionale, përfshirë 120 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Ministria bën me dije se aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Dajt, Tiranë, po punohet për shuarjen e zjarrit mbi tunelet e Qafë-Mollës me mbështetjen e 50 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterëve të Forcës Ajrore; nuk ka rrezik për banesat. Zjarret në zonën e Priskës, Farkës, Lundrës dhe Gurrës së Madhe janë vënë nën kontroll dhe po monitorohen nga forcat operacionale.
Një ndër operacionet kryesore zhvillohet në Gurë-Lurë, Dibër, ku në terren janë angazhuar 150 forca bashkiake, 20 forca policore, 11 të ADZM-së Dibër, 15 efektivë të MZSH-së Dibër, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve me fadroma dhe forcat ka ndaluar përparimin e zjarrit drejt banesave; aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmes, Bulqizë–Selishtë, po operojnë 11 efektivë të MZSH Bulqizë, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Nga krahu i fshatit Bulqizë zjarri është shuar, ndërsa vijon aktiv nga krahu i Selishtës, pa rrezik për banesat.
Në Krujë, vatra në Abaze mbetet aktive me intensitet të ulët, ndërsa zjarri në Zidoll është në monitorim. Në Lufaj të Mirditës po punohet për hapjen e korridoreve ndarëse për të shmangur rrezikun për banesat. Zjarri pranë stacionit të trenit në Mamurras është shuar plotësisht falë ndërhyrjes së shpejtë të strukturave operacionale.
Vijon puna edhe në Fushë-Lajë të Pukës, Sotirë në Dropull, Gjormë në Selenicë dhe Dardhë të Librazhdit, ku forcat operacionale janë të angazhuara për izolimin dhe shuarjen e vatrave; në të gjitha këto zona nuk raportohet rrezik për banesat. AKMC vijon ndjekjen dhe monitorimin e pandërprerë të situatës në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të Mbrojtjes Civile, duke mbajtur në gatishmëri kapacitetet tokësore dhe ajrore.

