Pas takimit me kryebashkiakët që pritet të bashkohen me njësi më të mëdha, kryeministri Rama pati dje një tjetër përballje me një prej “rebeleve” brenda PS-së, kryebashkiakun e Selenicës. Ngjarja u zhvillua në fshatin Vajzë të Selenicës, ku u mbajt edicioni i katërt i “Vajza Fest”, një aktivitet që bashkon traditën, kulturën, artin, sportin dhe trashëgiminë, dhe që organizohet prej katër vitesh në zonë.
Në fjalën e tij kryebashkiaku Nertil Bellaj bëri bilancin e punës së kryer gjatë mandatit, duke thënë se “në këto katër vite Bashkia ka bërë shumë punë”, dhe duke lënë në dorë të kryeministrit vendimin për fatin e institucionit. Ai vuri theksin te zhvillimi turistik të zonës: “Ashtu si Labëria e ka famëmadhe historinë, ne si bashki, jemi munduar që për katër vite, famëdhadhe do ta bëjmë edhe bashkinë tonë, duke e çuar bashkinë në një nivel tjetër të turizmit malor dhe lumor. Kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë dhe të shohim pastaj se si do shkojnë gjërat.” Bellaj ka dalë hapur kundër bashkimit me Vlorën.
Pas fjalës së tij, kryeministri Rama iu përgjigj me ironi, duke përmendur pjesën e fjalimit të kryebashkiakut për gjetjen e “ujit të kripur” në mal: “Dua të përshëndes kryetarin e Bashkisë, Nertilin dhe ta falenderoj për informacionin për vajtjen e detit në majë të malit me ujin e kripur. Dua të përshëndes edhe ministrin e pushtetit vendor, zotin Demo, i cili është këtu i pranishëm për të kontrolluar si funksionon bashkia e Selenicës”, tha Rama.
Ndërkohë, kryeministri ka nisur një tur konsultimesh për reformën e re territoriale, sipas së cilës PS-ja propozon zvogëlimin e numrit të bashkive nga 61 të aktualet në 46. Përplasja verbale në Selenicë ndodh në kontekstin e këtyre konsultimeve dhe diskutimeve për bashkime bashkish që po zhvillohen në terren.

