Barcelona ka përcaktuar dy objektivat kryesorë për ditët e mbetura të merkatos së verës: Rodri Hernández dhe Julián Álvarez. Me pak më shumë se dy javë deri në mbyllje, drejtuesit katalanas insistojnë për të dy lojtarët dhe besojnë se ata dëshirojnë t’iu bashkohen projektit të trajnerit Hansi Flick.
Rasti i Rodrit duket më i avancuar. Mesfushori spanjoll, i rikthyer te Manchester City pas pushimeve, mbetet prioritet për mesfushën e Barcelonës. Manchester City kërkon rreth 80 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa Barcelona nuk është e gatshme të arrijë këtë shifër. Klubi është i gatshëm të përmirësojë ofertën dhe, përmes bonuseve, mund të afrohet deri në 70 milionë euro. Avantazhi i katalanasve është dëshira e vetë lojtarit për të luajtur në “Camp Nou”, çka e vështirëson krijimin e një gare nga City. Në Barcelonë besojnë se marrëveshja mund të arrihet, më së voni, gjatë javës së ardhshme.
Situata me Julián Álvarez është më komplekse. Atlético Madrid vazhdon të jetë kategorik dhe nuk dëshiron ta shesë sulmuesin argjentinas, por raportimet nga Spanja dhe Argjentina thonë se lojtari vazhdon të shpresojë për një transferim te Barcelona dhe gjatë ditëve në vijim mund të tentojë një zgjidhje me drejtuesit e klubit madrilen. Një prioritet për të është një takim me CEO-n Miguel Ángel Gil Marín, pasi Álvarez beson se i ishte premtuar më parë mundësia e largimit nëse kërkonte transferimin te Barcelona.
Barcelona e ka bërë të qartë se Álvarez është alternativa A, B, C dhe D për sulmin; klubi monitoron edhe sulmues të tjerë të nivelit të lartë, por nuk ka aktivizuar pista të tjera serioze. Vëmendja është tek dy ndeshjet e Atlético-s në “Metropolitano” (19 gusht ndaj Málaga-s dhe më pas ndaj Villarrealit), ku do të shihet nëse Álvarez do të grumbullohet dhe si do të reagojnë tifozët. Ai nuk u thirr në miqësoren e fundit në Marseille, pasi sapo ishte rikthyer në stërvitje.
Rreth qëndrimeve janë qarkulluar versione të ndryshme: nga Spanja raportohet se ai i kërkonte skuadrës ta mbrojë fanellën, ndërsa në Argjentinë ky version mohohet. Gazetari Martín Arévalo tha se Atlético e kishte nxitur publikimin e kërkesës së largimit dhe përshkroi situatën si të pakëndshme; klubi nuk do ta shesë pa aktivizuar klauzolën e largimit. Simeone e vlerëson lojtarin, por marrëdhënia palëve mbetet e ndërlikuar. Barcelona pret lëvizjen e ardhshme të Álvarez dhe është e gatshme të ndërhyjë nëse krijohet rruga për largimin; në të njëjtën kohë, Rodri mbetet emri që shpresohet të mbyllet shumë shpejt.

