Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 35 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive. Në operacione janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje janë angazhuar 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht në terren vazhdojnë të operojnë 120 efektivë të FA-së, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Dajt, Tiranë, po vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Forcat operacionale janë mbështetur nga 50 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë; për momentin nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Priskë, Farkë dhe zonat përreth, ndërhyrja e 30 forcave të MZSH-së me 6 mjete ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll.
Në Krujë po punohet në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Ndërhyrjet nga toka, të mbështetura gjatë ditës së djeshme edhe nga ajri, kanë ndihmuar në normalizimin e situatës. Në Zidoll vijon puna për izolimin dhe fikjen e plotë të zjarrit, pa rrezik për zonat e banuara.
Në Gurë-Lurë, Dibër, zhvillohet një nga operacionet kryesore; hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka penguar përparimin e zjarrit drejt banesave. Operacioni sot vazhdon me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së, 2 avionë Air Tractor dhe 1 autobot uji.
Në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, operacioni vijon me mbështetjen e 20 efektivëve të FA-së, dhe në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit. Një zhvillim pozitiv është regjistruar në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh, ku vatrat janë shuar plotësisht si rezultat i punës së forcave operacionale.

