Është njoftuar vdekja e profesorit të Universitetit të Elbasanit, Albert Riska. Universiteti shpreh ngushëllimet për familjen, të afërmit, kolegët, studentët dhe të gjithë ata që e njihnin profesorin. Riska zhvilloi një karrierë të gjatë akademike në këtë universitet, ku filloi aktivitetin pedagogjik në vitin 1988 si pedagog i jashtëm. Nga viti 1991 ai vijoi punën si pedagog i gjuhës, duke ligjëruar lëndë si Dialektologjia dhe Historia e gjuhës shqipe.
Gjatë karrierës së tij akademike, Riska mbajti edhe funksione drejtuese brenda institucionit, përfshirë përgjegjësin e Departamentit të Gjuhës dhe poste brenda Fakultetit të Shkencave Humane. Ai ishte i angazhuar në strukturat shkencore të universitetit dhe ka qenë anëtar i bordit editorial të buletinit shkencor të Universitetit të Elbasanit.
Prof. Riska zhvilloi gjithashtu aktivitet kërkimor dhe publikues në fushën e gjuhësisë. Ai botoi artikuj dhe trajtesa që trajtonin tema të ndryshme të gjuhës shqipe, dialektologjinë, etimologjinë dhe çështje të historisë së gjuhës. Ndër botimet e tij përmendet libri “Shqipja dhe Krishterimi”, ku janë trajtuar lidhjet mes gjuhës shqipe, historisë dhe përhapjes së krishterimit në hapësirat ilire. Ky libër mbështetet edhe në materiale të mbledhura gjatë ekspeditave gjuhësore që Riska kryente në kuadër të punës kërkimore.
Sipas njoftimit të Universitetit të Elbasanit, pritja për nderimin e tij do të bëhet pranë Shtëpisë Funerale “Prehje në Paqe”, Salla 1. Ceremonia e varrimit është caktuar të zhvillohet të premten, më 14 gusht 2026, në orën 15:00.

