Policia braziliane ka rikuperuar tetë vepra të Henri Matisse, të vjedhura në dhjetor 2025 nga Biblioteca Mário de Andrade në São Paulo. Veprat, pjesë e albumit “Jazz” të botuar në 1947, u gjetën gjatë një operacioni policor në një rezidencë në qendër të São Bernardo do Campo, pranë São Paulos. Në pamjet e publikuara nga policia, veprat me ngjyra të gjalla shihen të vendosura mbi një shtrat, ndërsa mes tyre ndodhet edhe një revolver.
Tetë veprat e rikuperuara vlerësohen në rreth 200 mijë dollarë, ose më shumë se 173 mijë euro. Autoritetet thonë se ato ndodheshin në posedim të një personi të armatosur, i cili dyshohet se po i ruante për organizatorin e vjedhjes. Në vendngjarje u arrestua një burrë, i akuzuar për marrjen e mallrave të vjedhura dhe posedim të paligjshëm të armës së zjarrit. Një grua që po hetohet për përfshirje në vjedhje u mor në paraburgim.
Sipas policisë, grupi kishte vepruar në mënyrë të organizuar, duke planifikuar vjedhjen dhe duke ndarë detyrat për grabitjen, ruajtjen dhe shitjen e veprave në tregun e zi. Ngjarja kryesore ndodhi më 7 dhjetor, kur dy persona të armatosur hynë me forcë në bibliotekë, mposhtën një roje sigurie dhe një çift të moshuar që po vizitonin ekspozitën dhe morën disa prej veprave të ekspozuara. Në total u vodhën 13 vepra arti: tetë të Matisse dhe pesë të artistit brazilian Cândido Portinari. Veprat e Portinari ende nuk janë gjetur dhe policia dyshon se mund të jenë shitur tashmë në tregun e zi.
Njëri prej dyshuarve u arrestua një ditë pas grabitjes përmes sistemit të njohjes biometrike dhe teknologjisë së njohjes së fytyrës. Hetimi vijoi gjatë muajve në vijim; në prill u arrestua në Rio de Janeiro personi që dyshohet si organizatori i grabitjes, i kapur teksa përpiqej të korruptonte një roje sigurie për një tjetër vjedhje. Në maj policia zhvilloi operacione në vende të lidhura me ankandet dhe tregtinë e veprave të artit në qytete të ndryshme të Brazilit.
Sipas shtëpisë së ankandeve Christie’s, albumi “Jazz” konsiderohet i rrallë: rreth 300 kopje ekzistojnë në botë, prej të cilave afërsisht 250 të firmosura nga vetë artisti. Rikuperimi i tetë veprave përbën një goditje të rëndësishme ndaj rrjetit të dyshuar për grabitjen dhe tregtimin e paligjshëm të trashëgimisë kulturore në Brazil.

