Ministria e Jashtme e Francës ka nisur procedura disiplinore ndaj ambasadorit të Francës në Republikën e Afrikës Qendrore, Bruno Fouché, pas një hetimi administrativ mbi sjelljen e tij në rezidencën zyrtare në Bangui. Hetimi u përqendrua te vizitat e shpeshta të dhjetëra grave të reja në rezidencë, disa prej të cilave dyshohet se kanë qëndruar gjatë natës, duke ngritur shqetësime lidhur me respektimin e protokolleve të sigurisë.
Gazeta britanike The Guardian, duke cituar median investigative franceze Le Canard enchaîné, raporton se diplomati 65-vjeçar dyshohet të ketë pritur rreth 30 gra, të moshave 20 deri në 30 vjeç, gjatë periudhës janar 2024–mars 2026. Sipas Le Canard enchaîné, që pretendon të ketë pasur qasje në raportin e inspektimit, Fouché ka pasur rreth 15 vizita të tilla në muaj; raporti përmend, siç raportohet, edhe një rast kur ambasadori ka udhëzuar stafin të lejonte një prej grave të qëndronte në rezidencë edhe në mungesë të tij. Ambsadori, sipas raporteve, ka pranuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me dy prej grave të reja.
Ministria e Jashtme franceze konfirmoi se një hetim administrativ u zhvillua në Bangui gjatë vitit 2026 dhe se, pas përfundimit të tij, janë nisur procedurat disiplinore ndaj diplomatit. Një inspektim në terren u krye në prill; gjetjet i janë përcjellë ministrisë dhe kanë çuar në nisjen e procedurave. Procedurat disiplinore ndaj Bruno Fouché vazhdojnë.
Bruno Fouché është diplomat karriere dhe mban postin e ambasadorit të Francës në Republikën e Afrikës Qendrore që prej vitit 2023; më parë ka shërbyer si ambasador në Liban, Iran dhe Çad. Rasti shfaqet në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet mes Francës dhe Republikës së Afrikës Qendrore: Parisi përpiqet të rivendosë ndikimin dhe marrëdhëniet diplomatike me Bangui, ndërsa Rusia ka zgjeruar praninë e saj në vend. Forcat ruse të lidhura me grupin Wagner kanë pasur një rol të rëndësishëm në sigurinë e presidentit Faustin-Archange Touadéra. Franca ka akuzuar Moskën për nxitjen e ndjenjave anti-franceze në disa vende afrikane, ndërsa ndikimi francez në ish-kolonitë e saj në kontinent konsiderohet i dobësuar. Në mars, ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot vizitoi Bangui dhe deklaroi se marrëdhëniet po hynin në një fazë të re, duke folur për “rivendosjen e plotë të marrëdhënieve”.

