Casemiro vlerësoi lart Lionel Messin për vendimin të rikthehej në dispozicion të Inter Miamit vetëm pak ditë pas vdekjes së babait të tij, Jorge Messi. Mesfushori brazilian, i sapo bashkuar me klubin, e cilësoi kapitenin argjentinas një “shembull” për mënyrën se si u vu në dispozicion për sfidën ndaj Leónit në Leagues Cup, pavarësisht dhimbjes personale. “Është një shembull. Jam i sigurt se po kalon një periudhë shumë të keqe, por ai tregoi një përkushtim jo vetëm ndaj lojtarëve, por edhe ndaj klubit, dhe kjo ishte e pabesueshme. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë në jetën time. E vetmja gjë që mund të bëjmë është ta falënderojmë që është këtu”, deklaroi Casemiro. Ai shtoi se kjo është një nga arsyet pse Messi “është kaq i madh” dhe “një nga më të mirët në histori, nëse jo më i miri”.
Messi u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes kundër Leónit, pasi ishte larguar drejt Argjentinës me familjen pas ndarjes nga jeta të babait të tij, 68 vjeç. Megjithatë prania e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen; Inter Miami u mund 2-3 dhe u eliminua nga Leagues Cup, duke e mbyllur turneun me një fitore dhe dy humbje. Casemiro pranoi se eliminimi i ka lënë të gjithë të zhgënjyer: “Na ka goditur.” Ai theksoi se është e vështirë, veçanërisht kur humbet, por se ekipi duhet të vazhdojë të rritet: “Ishte një kompeticion që kisha shumë dëshirë ta fitoja”.
Pas eleminimit nga Leagues Cup, Inter Miamit i mbetet si objektiv kryesor vetëm MLS Cup për të fituar një trofe këtë sezon. Skuadra e drejtuar nga Javier Mascherano ishte eliminuar më herët edhe nga Liga e Kampionëve të CONCACAF, ndërsa në MLS aktualisht renditet e dyta në Konferencën e Lindjes. Casemiro, i cili u bashkua me klubin për të ndihmuar në përpjekjet për trofe, nënvizoi se përgjegjësia për rezultatet nuk bie vetëm mbi repartin defensiv: “Në futboll, të gjithë sulmojnë dhe të gjithë mbrojnë”, duke iu referuar shtatë golave të pësuar nga Inter Miami në tri ndeshjet e Leagues Cup. Që nga ardhja, ai ka kuptuar se objektivi i klubit është i qartë: fitoret dhe trofetë.

