Ish-deputetja e PS, Marjana Koçeku, akuzon se zjarret në Shqipëri në disa raste mund të kenë prapavijë politike dhe ekonomike. duke u ndalur te situata në Krujë, ajo përmend zonën pranë fabrikës së çimentos ku ndodhen disa gurore dhe ku gjatë ditëve të fundit janë regjistruar vatra zjarri. Koçeku vëren se disa prej vatrave vazhdojnë të jenë aktive, çka ngre dyshime mbi mënyrën e menaxhimit të territorit dhe pronësinë mbi tokën.
Sipas saj, zjarret mund të shfrytëzohen për krijimin e hapësirave për zhvillime të mëvonshme; si shembull citon rastin e Pishë-Poros, ku sipas pretendimit të saj zjarri zgjati dhjetë ditë pa ndërhyrje dhe dogji sipërfaqe të mëdha. Koçeku thotë se shpesh zjarri në Shqipëri është përdorur si mjet për zaptimin e territoreve dhe si incentivu për “zhvillime” të mëvonshme që përfshijnë lehtësime ligjore dhe depërtime që në kushte normale nuk do të ishin të mundshme.
Ajo thekson gjithashtu se ka më shumë shtysa për të djegur e shfrytëzuar territorin sesa për ta mbrojtur atë, dhe se përqendrimi i energjive te ndërtimi pa kriter dhe spekulativ bën që individët të kërkojnë çdo rrugë për përfitim ekonomik. Koçeku pretendon se shumica e guroreve kontrollohen edhe nga grupe mafioze e kriminale.
Ish-deputetja kritikon mungesën e një linje të saktë se si administrohet toka-pyll: kur toka lihet “e askujt”, sipas saj, askush nuk ndjen përgjegjësi apo përkatësi, por vetëm dëshirën për përfitim. Ajo lidh këtë gjendje me reformat territoriale të kryera më parë dhe me synimin për të shkrirë disa bashki të vogla, duke argumentuar se heqja e kompetencave nga nivelet lokale po shkatërron lidhjen e komunitetit me territorin dhe lidhjen administrativo-institucionale me njerëzit e vendit.
Koçeku paralajmëron se heqja e përgjegjësisë dhe përkatësisë e ndryshon marrëdhënien e komunitetit me territorin në një marrëdhënie burokratike, “të thata e të shkretueme”.

