Për 14 ditë rresht ekipet e mjekësisë ligjore dhe ekspertët po kryejnë gërmime në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut, të identifikuara si varreza masive. Në një zonë malore rreth 17 kilometra larg qytetit të Zubin Potok, në Kalludër të Vogël, gërmimet kanë konfirmuar gjetjen e mbetjeve mortore, ndërsa autoritetet kanë identifikuar edhe lokacione të tjera, përfshirë fshatin Jabukë dhe një vend afër Kalludrës së Vogël.
Derisa hetimet janë në vazhdim, viktimat ende nuk janë identifikuar zyrtarisht, por dyshohet se disa prej mbetjeve mund t’u përkasin grupit të 23 intelektualëve të Mitrovicës që u zhdukën në vitin 1999. Lutfije Ademi–Vokshi, familjare e Adem Ademit dhe drejtuese e organizatës joqeveritare “Ndriçimi i Jetës”, thotë se për familjarët është rikthyer shpresa për një varr ku të qajnë të afërmit, por gjithashtu përshkruan pritjen si shumë të rëndë. Ajo ka shprehur bindjen se në lokacion ndodhet grupi i vëllait të saj dhe se angazhimi i organizatës vazhdon për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Sipas raportimeve nga punimet e deritanishme, në Kalludër të Vogël janë zhvarrosur mbetjet mortore të 11 personave, ndërsa në Jabukë janë gjetur dhe zhvarrosur 4 të tjerë, çka bën gjithsej 15 viktima të nxjerra deri tani. Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur ka konfirmuar zhvarrimin e katër viktimave në Jabukë.
Lidhur me rastin, në Zubin Potok janë arrestuar tre persona nën dyshimet për krime lufte. Hetimet e mëtejshme pritet të vazhdojnë për identifikimin e viktimave dhe për përcaktimin e përgjegjësive penale, ndërsa familjarët dhe organizatat që punojnë për të zhdukurit mbeten në pritje të rezultateve nga ekspertizat forenzike dhe procedurat zyrtare.

