Një foshnjë gjashtëmuajshe u nxorr e gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Cali të Kolumbisë pas tërmetit me magnitudë 7.4 që goditi mëngjesin e së hënës, më 10 gusht. Ekipet e kërkim-shpëtimit, të cilat po operonin në një prej ndërtesave të rrënuara, konstatuan shenja jete nën gurë dhe arritën ta nxirrnin foshnjën. Nën rrënoja ndodhej edhe nëna e saj, e cila sipas raportimeve ishte përpjekur ta mbronte fëmijën gjatë shembjes. Pamjet e shpëtimit të publikuara në rrjetet sociale u bënë virale dhe sollën një shkëndijë shprese mes skenave të shkatërrimit.
Situata në Cali mbetet dramatike, me dëmtime të rënda në disa ndërtesa. Një rast i rëndë është ai i Spitalit Universitar të qytetit, ku u shembën pjesë të kateve të sipërme dhe u prek repart i Pediatrisë. Sipas drejtorit të spitalit, Irne Torres Castro, rreth 30% e infrastrukturës së institucionit është dëmtuar. Dëmet prekin tre kate ku funksiononin Pediatria, Mjekësia e Brendshme dhe një pjesë të Njësisë së të sapolindurve. Të paktën katër persona janë nxjerrë nga rrënojat, ndërsa pacientë të tjerë janë evakuuar dhe transferuar në spitale të tjera.
Rreth 600 persona u detyruan të evakuoheshin nga spitali dhe morën trajtim jashtë godinës, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet për persona që mund të jenë ende të bllokuar. Guvernatorja e Valle del Cauca, Dilian Francisca Toro, konfirmoi se ka ende persona nën rrënoja. Zjarrfikësit dhe ushtarët janë angazhuar në operacionet e shpëtimit, dhe ekipet po punojnë kundër kohës për të nxjerrë të mbijetuarit.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë kaosin pas tërmetit: pacientë transportohen me barela jashtë spitalit, mjekë dhe infermiere të mbledhur në oborr, dhe infermiere që detyrohen të kujdesen për të porsalindurit në rrugë pasi repartet e pediatrisë dhe neonatologjisë u dëmtuan. Tërmeti ka shkaktuar dëme të mëdha në disa zona të Kolumbisë, ndërsa operacionet e shpëtimit dhe evakuimet vazhdojnë.

