Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) nis një fushatë kombëtare informuese dhe promovuese për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME), në bashkëpunim me 10 bashki të vendit dhe AIC (Albanian Investment Corporation). Fushata synon t’u ofrojë bizneseve informacion dhe mundësi konkrete lidhur me financimet, eksportet, përputhshmërinë me standardet e Bashkimit Europian, çështjet fiskale si taksat dhe TVSH-në, si dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në panaire dhe evente ndërkombëtare.
Nëpërmjet sesioneve informuese të organizuara në bashkëpunim me bashkitë dhe AIC, SME-të do të kenë akses të drejtpërdrejtë në programet mbështetëse ekzistuese, mundësi promovimi ndërkombëtar përmes platformës Kompass, si dhe informacion mbi mundësi të reja për rritje dhe zhvillim të biznesit. Qëllimi i sesioneve është që të lidhë drejtpërdrejt përfaqësuesit e biznesit me instrumentet dhe shërbimet që ofrohen, duke enkluduar elementet kyçe të mbështetjes për ndërmarrjet në faza të ndryshme të zhvillimit të tyre.
Fushata do të zhvillohet në dy raunde rajonale. Në raundin e parë, nga shtatori deri në dhjetor 2026, aktivitetet do të organizohen në qytetet Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Raundi i dytë do të vijojë nga janari deri në prill 2027, me aktivitete në Korçë, Berat, Kukës, Lezhë dhe Shkodër. Kjo ndarje në dy periudha synon të mbulojë territorin kombëtar dhe të ofrojë mundësi për pjesëmarrje të SME-ve nga rajone të ndryshme.
Nisma #aidaXbashkitë, e mbështetur nga AIDA, AIC, projekti EEN Albania dhe bashkitë pjesëmarrëse, synon të forcojë lidhjen mes institucioneve dhe komunitetit të biznesit. Qëllimi i saj është të krijojë për SME-të më shumë mundësi për rritje, të forcojë konkurrueshmërinë dhe t’i orientojë drejt tregjeve ndërkombëtare. Top Channel.

