Një ngjarje e rëndë tronditi komunitetin studentor në Tucson, Arizona, ku studenti 20-vjeçare Julissa Ruby Salazar u gjet e pajetë në apartamentin e saj pranë Universitetit të Arizonës. Për vrasjen dyshohet partneri i saj, 19-vjeçari indian dhe gjithashtu student, Varun Bachigari. Sipas mediave lokale dhe hetuesve, Bachigari dyshohet se e mbyti të renë pasi ajo kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes së tyre. Hetimet tregojnë se marrëdhënia mes tyre ishte shoqëruar më herët edhe me episode dhune.
Policia u njoftua nga familjarët e Salazarit, të cilët ishin shqetësuar pasi nuk po merrnin përgjigje prej saj. Kur mbërritën në apartament, efektivët e gjetën studenten të vdekur në dhomën e saj. Gjatë hetimeve Bachigari u identifikua si i dyshuari kryesor; policia thotë se ai dyshohet se i mori viktimës telefonin celular dhe kartat e kreditit dhe se i dërgoi disa mesazhe familjarëve të saj, gjë që shtoi shqetësimin e tyre.
Pas dyshimeve se ishte larguar nga vendi, autoritetet zbuluan se 19-vjeçari kishte shkuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tucsonit dhe kishte marrë një fluturim drejt Hjustonit; prej andej ai udhëtoi në Gjermani, me dyshimin se destinacioni përfundimtar ishte India. Policia amerikane lëshoi një urdhër arresti dhe, pas koordinimit me autoritetet gjermane, Bachigari u arrestua në Berlin.
Hetimet kanë zbuluar edhe detaje mbi marrëdhënien mes dy studentëve: Salazar dyshohet se po planifikonte të ndahej nga Bachigari dhe më herët kishte pretenduar se ishte sulmuar seksualisht prej tij. Dëshmitarë thanë se disa ditë para se ajo të gjendej e vdekur kishin dëgjuar britma të forta nga apartamenti; shokët e klasës i kishin dërguar mesazh për ta pyetur nëse ishte mirë, dhe ajo u përgjigj se ishte mirë dhe se kishte pasur vetëm një debat.
Në të shkuarën ndaj Bachigarit kishte pasur një akuzë për sulm penal, ndërsa një tjetër grua pretendoi se ai e kishte sulmuar seksualisht gjatë festimeve të Halloween-it. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes dhe për të përcaktuar të gjitha akuzat me të cilat do të përballet i dyshuari.

