Pas një periudhe sëmundjeje, në moshën 87-vjeçare ka ndërruar jetë në një klinikë në Torino kampioni olimpik i 200 metrave në Lojërat e Romës 1960, Livio Berruti. Ai lë pas bashkëshorten Silvia; ceremonia mortore pritet të zhvillohet në formë private. Pas përfundimit të karrierës sportive, Berruti punoi në botën e komunikimit. Në vitin 2006 ai ishte një nga tetë italianët që mbajtën flamurin olimpik në ceremoninë përmbyllëse të Lojërave Dimërore të Torinos, qytetit të tij të lindjes.
I lindur në Torino më 19 maj 1939, Berruti u njoh me atletikën në vitin 1955 në gjimnazin “Cavour”, ku doli më i shpejti i shkollës. Sipas Federatës Italiane të Atletikës (FIDAL), ai kishte shpresuar të merrej me tenis dhe frekuentonte qendrën sportive Lancia, por rezultatet e shkëlqyera në garat e shpejtësisë e shtynë të vazhdonte dhe të përqendrohej në atletikë. Vetëm pak vite më vonë ai arriti të fitonte medaljen e artë olimpike dhe u bë sprinteri i parë evropian që triumfoi në këtë disiplinë.
Dita vendimtare për karrierën e tij ishte 3 shtatori 1960 në Stadiumin Olimpik të Romës. Në hapësirën e vetëm dy orëve ai vrapoi në gjysmëfinale me kohën 20.5 sekonda, duke barazuar rekordin botëror, dhe më pas fitoi finalen me të njëjtën kohë. Në finalen e 200 metrave la pas amerikanin Lester Carney (20.6) dhe francezin nga Senegali, Abdou Seye (20.7). Për këtë fitore historike në Romë, Komiteti Olimpik Kombëtar Italian (CONI) e shpërbleu me 800 mijë lireta për medaljen e artë dhe 400 mijë lireta për rekordin botëror, ndërsa kompania Fiat i dhuroi një makinë “Fiat 500”.
Këto ngjarje shënuan piketa kryesore në karrierën e një sportisti që nga interesimi fillestar për tenis e gjeti veten një nga emrat më të njohur të atletikës italiane të shekullit të XX.

