Tetë vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës në qarqet Tiranë, Fier, Durrës dhe Lezhë; gjashtë prej tyre vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa dy të tjera janë nën kontroll ose monitorim. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në terren janë angazhuar 227 forca, ndërsa për situatën në lagjen Boje të Krujës është kërkuar edhe angazhimi urgjent i 50 forcave ushtarake për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor.
Për operacionet e shuarjes dhe kontrollit janë përdorur mjete zjarrfikëse, tre helikopterë, një avion Air Tractor dhe një mjet ajror i Forcave të Armatosura në Cikallesh. Në Dajt, pranë fabrikës së ujit Selita në qarkun Tiranë, janë rishfaqur disa vatra dhe vijon ndërhyrja dhe monitorimi i situatës. Në Cikallesh të Kavajës zjarri ka rënë në intensitet dhe po shkon drejt shuarjes së plotë, ndërsa në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara në këto raste.
Në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht të Mallakastrës puna për izolimin e vatrave vazhdon dhe zjarri konsiderohet nën kontroll. Po ashtu, në zonën Koilaç–Greshicë zjarri është izoluar dhe ndodhet nën kontroll pa rrezik për banesat. Në Abaze të Krujës situata është stabilizuar; në terren kanë mbetur disa vatra të vogla me prush dhe tym, dhe strukturat e angazhuara vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen.
Në lagjen Boje të Krujës, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor është kërkuar angazhimi i 50 forcave ushtarake; Ministria e Mbrojtjes raporton se nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Vilëz të Kurbinit, në qarkun Lezhë, zjarri vijon të jetë aktiv në sipërfaqe pyjore. Në këtë zonë janë angazhuar rreth 50 forca nga strukturat vendore, MZSH-ja, Policia dhe vullnetarë; ndërhyrja ajrore me dy helikopterë ka frenuar avancimin e flakëve dhe ka shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth.

