Mbas incidentit me dy të dëmtuar në burgun e Fierit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka larguar nga ky institucion dy të dënuar. Siç i thanë burime shumë të sigurta gazetares Anila Hoxhës, Aldo Gjini është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, ndërsa Jurgen Zotaj është dërguar nga spitali i Fierit në Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë. Në burgun e Fierit është mbajtur vetëm Denis Brajovic, i njohur edhe si Bajri.
Policia e Fierit, në bashkëpunim me Prokurorinë lokale, po kryen hetime për të sqaruar shkaqet e përleshjes mes të burgosurve që përfundoi me plagosjen e Brajovic dhe Zotaj. Janë marrë në pyetje gjashtë policë të burgjeve që ishin në detyrë gjatë ngjarjes; nga burimet raportohet se pritet pezullimi i katër prej tyre gjatë javës që vjen, si të dyshuar se kanë neglizhuar rregullat e sigurisë.
Pamjet nga kamerat tregojnë Jurgen Zotaj dhe Aldo Gjini të lëvizin nga një sektor në sektorin ku ndodhej Brajovic, pasi këtij të fundit i ishte komunikuar nëse e priste apo jo dikush për kafe. Gazetarja Anila Hoxha, që komunikoi me anëtarë të stafit të burgut të Fierit, thotë se tre të burgosurit takohen duke u përqafuar dhe më pas zhvendosen në një ambient ku nuk ka kamera.
Nga dëshmia e marrë rezulton se Brajovic është sulmuar me një send të improvizuar, përshkruar si armë e ftohtë. Sipas deklarimit të tij për policinë që po heton, ai iu drejtua armës Jurgenit dhe me të iu kundërpërgjigj, duke pohuar se nuk kishte asnjë konflikt paraprak dhe se kishte pranuar vizitën për kafe pasi njihte dhe kishte shok, pra garant, Aldo Gjinin. Brajovic i ka thënë policit: “Le të vijnë sa të laj sytë” dhe më pas, për arsye që ai nuk i shpjegon, pas takimit me shokët u sulmua.
Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse ngjarja është incident i izoluar dhe banal apo rast i porositur.

