Policia ka dhënë informacionin paraprak për vrasjen që ndodhi pasditen e sotme në Korçë, ku mbeti i vrarë 20-vjeçari Johan Zuko. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30 në rrugën “Viktor Eftimiu”, në lagjen nr. 15, dhe pati si shkas një konflikt mes disa personave që u përshkallëzua deri në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë e të shtënave vdiq shtetasi J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Korçë.
Sipas njoftimit të Policisë, pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operative në vendngjarje u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, i cili u largua menjëherë pas krimit. Shërbimet e Policisë kanë vënë në ndjekje të tij, kanë rrethuar zonën dhe vazhdojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, për veprime të mëtejshme procedurale në Komisariat janë shoqëruar tre shtetas që dyshohen të kenë qenë të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
Policia thekson se po kryen kontrolle intensive dhe veprime operative për të gjetur autorin e dyshuar dhe për të mbledhur provat e nevojshme. Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe forcat e rendit janë angazhuar në vendngjarje dhe në zonën përreth për të vijuar procedurat hetimore dhe për të garantuar zbardhjen e plotë të ngjarjes. Informationet e tjera priten nga hetimet zyrtare që po kryhen nën drejtimin e Prokurorisë.

