Gjatë një periudhe 11-vjeçare, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka referuar pranë organeve të drejtësisë dhe hetimit tatimor 610 persona, ndër të cilët deputetë, kryebashkiakë, gjyqtarë, prokurorë dhe titullarë institucionesh. Të dhënat zyrtare tregojnë se nga viti 2014 deri në 2025 janë shqiptuar gjithsej 2,306 masa administrative me gjoba, ndërkohë që këto 610 subjekte janë dërguar për hetim te Prokuroria, Policia e Shtetit, Drejtoria e Tatimeve dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare.
Kategoria kryesore e shkeljeve lidhet me deklarata pasurie të rreme, të paplota ose të dorëzuara me vonesë, si dhe me shkelje të rregullave për konflikt interesi. Për vitin 2025 vetëm janë regjistruar 75 masa administrative me gjobë dhe 16 referime penale e të tjera. Historiku i rasteve të referuara klasifikohet në nivel “të lartë” sipas indikatorit përkatës të OECD, i cili përcakton një kufi të paktën 5 raste për 1 milion banorë.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për sinjalizuesit, i cili synon parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në sektorin publik dhe mbrojtjen e punonjësve që denoncojnë paligjshmëritë, raporti vjetor i ILDKP njofton se gjatë vitit 2025 janë regjistruar dhe trajtuar 11 raste sinjalizimi dhe 8 kërkesa për mbrojtje nga hakmarrja. Analiza e rasteve tregon se sinjalizimet dhe kërkesat për mbrojtje lidhen kryesisht me institucione të administratës publike në nivelet qendrore dhe vendore, si dhe me institucione të tjera të sektorit publik, përfshirë ato të pavarura dhe të arsimit të lartë, duke reflektuar një përhapje të gjerë të problematikave të raportuara.
Shkaqet më të shpeshta të denoncimeve janë dyshimet për konflikt interesi, parregullsi në ushtrimin e funksioneve publike, shkelje të procedurave të prokurimeve publike dhe raste të mundshme të falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Një pjesë e rasteve lidhen gjithashtu me trajtim të padrejtë të punonjësve.

