Influencuesja e TikTok-ut Sydney Towle vdiq në moshën 26-vjeçare pas një beteje gati trevjeçare me kolangiokarcinomën në stadin e katërt, një formë e rrallë e kancerit të kanalit biliar. Lajmi u konfirmua nga familja e saj përmes një postimi në Instagram, vetëm pak ditë pasi ishte bërë e ditur se Sydney kishte hyrë në kujdes paliativ. Në mesazhin e familjes shkruhej: “Do të të duam gjithmonë, Sydney. Jam shumë krenare për mënyrën se si luftove. Të dua”.
Towle kishte fituar famë në rrjetet sociale duke ndarë me mbi një milion ndjekës përditshmërinë e saj me sëmundjen dhe duke sfiduar stereotipet se si duket një pacient me kancer. Në videot ajo shfaqej duke udhëtuar, kërcyer, bërë surfing dhe duke jetuar jetën me optimizëm edhe gjatë trajtimeve të vështira. Përmes përmbajtjeve ajo dokumentoi sfidat e trajtimit, humbjen e flokëve, udhëtimet dhe momentet me familjen, duke përcjellë mesazhe shprese dhe mirënjohjeje.
Towle u diagnostikua në vitin 2023 pasi kërkoi ndihmë mjekësore për fryrje dhe djegie në bark. Fillimisht mjekët dyshuan për një hernie, por një ekografi zbuloi një masë tumorale; më pas iu konfirmua kolangiokarcinoma, një lloj kanceri që zakonisht diagnostikohet te personat mbi 50 vjeç. Ajo njoftoi publikun hapur për përparimin e sëmundjes dhe trajtimet që po ndiqte.
Gjatë rrugës Towle u përball edhe me komente fyese nga përdorues që vinin në dyshim sëmundjen e saj. Në një intervistë për The New York Times në vitin 2025, Towle u përgjigj: “Unë nuk jam një personazh i rremë. Unë jam një person.” Një nga mesazhet e saj më të njohura për ndjekësit ishte: “Shkoni merrni një akullore Ben & Jerry’s, shikoni filmin tuaj të preferuar dhe mos harroni se jeta është e bukur. Ndonjëherë ndodhin gjëra të këqija, por kjo nuk do të thotë se jeta është e keqe.”
Pas njoftimit të vdekjes së saj, rrjetet sociale u mbushën me mijëra mesazhe ngushëllimi nga ndjekës dhe persona që thanë se ishin frymëzuar nga guximi dhe pozitiviteti i saj gjatë betejës me sëmundjen. Top Channel.

