Sipas njoftimit zyrtar, dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar në Shqipëri në bashkëpunim me Interpol Bogotën dhe Interpol Romën. Autoritetet shqiptare thanë se u mundësua rikthimi i shtetasit kolumbian Samir Rosales Rodriguez, 53 vjeç, dhe i shtetasit shqiptar Fadil Ternova, 38 vjeç.
Samir Rosales Rodriguez ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i kishte caktuar në vitin 2022 masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal. Hetimet, sipas njoftimit, lidhin 53-vjeçarin me transportin e një kontejneri që përmbante lëndë narkotike, i nisur nga porti Buenaventura në Kolumbi. Kontejneri kaloi përmes portit të Pireut në Greqi dhe më pas për në portin e Tivarit në Mal të Zi, duke pasur si destinacion përfundimtar Shqipërinë. Hetimet kanë zbuluar se marrësi i ngarkesës ishte një shtetas shqiptar, ndërsa Rosales Rodriguez ka ndjekur itinerarin e transportit deri në mbërritjen në destinacion.
Nga Italia u ekstradua edhe Fadil Ternova, i lindur në Bulqizë, i kërkuar për disa vepra penale. Policia njofton se ndaj tij rëndojnë akuza për tentativë vrasjeje me armë zjarri, armëmbajtje pa leje, goditje për shkak të detyrës, si dhe një dënim të mëparshëm për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë. Hetimet tregojnë se në vitin 2024, në aksin rrugor Bulqizë–Tiranë, Ternova dyshohet se tentoi të vriste me armë automatike shtetasin A. P., pas një konflikti verbal për motive të dobëta.
Policia e Shtetit njofton se operacioni “The Wanted” vazhdon dhe po vijon bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

