Presidenti amerikan Donald Trump raportohet se preferon zëvendëspresidentin JD Vance si një kandidat të mundshëm për ta pasuar në garën presidenciale të vitit 2028, sipas një raportimi të ri të The Washington Post. Gazeta thotë se Trump promovoi kandidaturën e Vance gjatë një takimi privat me donatorë në Zyrën Ovale, dhe është cituar të ketë thënë: “Në fund të fundit, ne duhet të zgjedhim JD-në”, sipas dy personave që njihnin diskutimin.
Derisa Trump ende nuk ka dhënë një mbështetje publike zyrtare për ndonjë kandidat të 2028, ai ka përmendur emra si Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe herë pas here ka bërë shaka për një mandat të tretë presidencial. Një raportim më i hershëm sugjeron se Trump është bërë më i hapur ndaj mundësisë së një kandidature të Vance, të ndikuar nga paraqitjet e fundit publike të zëvendëspresidentit dhe ndryshimi i imazhit të tij.
Personat pranë Trumpit paralajmërojnë se është ende herët për të nxjerrë përfundime të përhershme mbi mbështetjen e presidentit. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë u shpreh që “Kushdo që mendon se kjo çështje është mbyllur përfundimisht, ose po e ekzagjeron, ose nuk e njeh mirë presidentin”. Sipas të njëjtit burim, Trump ka diskutuar privat edhe mundësinë e një sfide midis Vance dhe Rubio; gjatë një udhëtimi me Marine One muajin e kaluar ai kërkoi mendime nga bashkëpunëtorët rreth përballjes së mundshme mes dy republikanëve.
Gjithashtu, gjashtë këshilltarë të tjerë nga rrethi politik i Trumpit kanë paralajmëruar se është shumë herët për të përcaktuar se cilin kandidat do të mbështesë presidenti në vitin 2028. Një këshilltar tha se Trump “e ka vendosur privatisht që Vance do të jetë trashëgimtari i Partisë Republikane”, por shtoi se mbetet e paqartë nëse kjo do të përkthehet në një mbështetje zyrtare gjatë fushatës. I njëjti këshilltar përmendi se Trump do të dëshironte të shihte edhe Rubion në garë kundër Vance, ndërsa nuk dihet nëse Rubio do të pranonin një rol si kandidat për nënpresident në një biletë të kryesuar nga Vance në 2028.

