Hetimet për vrasjen e 38-vjeçares britanike në zonën e Kypselit, në Athinë, morën zhvillim pas deklaratës së 27-vjeçarit afgan të arrestuar në lidhje me çështjen. I riu mohoi para autoriteteve se ishte autori i vrasjes dhe pretendoi se e gjeti gruan të pajetë në banesën e saj, duke thënë se e pa trupin në dyshemenë e banjës dhe, i pushtuar nga paniku, nuk dinte si të vepronte.
Në dëshminë e tij ai përmendi një person tjetër, një burrë të moshuar që e identifikon vetëm me emrin “Nikos”, të cilin pretendon se e përfshiu në largimin e trupit në këmbim të para. Sipas versionit të tij, ai mori kartat bankare të viktimës për të siguruar shumën e kërkuar dhe më pas ia dorëzoi valixhen me trupin këtij burri. Ai po ashtu pretendon se u kërcënua dhe u shantazhua nga “Nikos”, i cili kërkonte vazhdimisht para dhe e kërcënonte se do ta denonconte në polici. Këto pretendime nuk janë konfirmuar deri tani nga hetimet zyrtare.
I dyshuari pranoi gjithashtu se pas ngjarjes u largua drejt Arachovës së bashku me bashkëshorten, duke deklaruar se ajo nuk kishte dijeni për atë që ndodhi. Ai deklaroi se përdori telefonin celular të viktimës për të dërguar mesazhe familjarëve dhe miqve të 38-vjeçares, me qëllim që ata të besonin se ajo ishte ende gjallë dhe në gjendje të mirë. Më pas, sipas deklaratës së tij, hodhi në kosh mbeturinash si telefonin ashtu edhe kartat bankare të gruas.
Autoritetet greke po analizojnë provat e mbledhura dhe po verifikojnë çdo pretendim të bërë nga i arrestuari. Hetuesit përpiqen të përcaktojnë rolin e secilit person të përfshirë dhe të gjejnë nëse ekzistojnë prova që mbështesin versionin e paraqitur nga i dyshuari.

