Vatrat e zjarrit mbeten aktive në disa fshatra të zonës së Panahorit, Ngraçanit, Ribanit, Drenies dhe Vloshtit, ndërsa autoritetet në terren kërkuan ndërhyrje urgjente nga ajri me të paktën dy helikopterë, të cilët tashmë po punojnë për shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.
Zjarri në zonën e Panahorit vazhdon me intensitet të lartë dhe po përhapet drejt fshatrave Panahor dhe Çyçen, me rrezik që të zgjerohet edhe drejt fshatit Cfir. Në fshatin Ngraçan flakët janë me intensitet më të ulët, por me tendencë për t’iu afruar zonës së banuar; situata aty po mbahet nën monitorim dhe për momentin nuk raportohet rrezik për banesat. Në Riban zjarri mbetet aktiv brenda masivit me pisha, ndërsa flakët po përhapen drejt masivit pyjor të Drenies dhe Vloshtit.
Në terren po veprojnë forca të shumta të ushtrisë, ndërsa ndërhyrja ajrore me dy helikopterë vazhdon. Për operacionin e shuarjes janë angazhuar katër mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të shërbimit zjarrfikës, 30 punonjës të forcave bashkiake dhe 50 trupa të Forcave të Armatosura. Autoritetet nënvizojnë se terreni i vështirë, masivi i dendur pyjor, sipërfaqja e madhe e përfshirë nga zjarri dhe rritja e temperaturave gjatë mesditës e bëjnë të domosdoshme mbështetjen nga ajri.
Operacionet vijojnë për të vendosur flakët nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në zona të tjera. Situata monitorohet nga ekipet në terren dhe ndërhyrjet ajrore po ashtu po vazhdojnë, ndërsa autoritetet mbeten të angazhuara në menaxhimin e zjarreve në zonat e prekur.

