Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Ruralit (AZHBR) do të nisë së shpejti disbursimin e 7.2 miliardë lekëve të vënë nga qeveria për fermerët që aplikuan në Skemën Kombëtare dhe atë të Investimeve. Shuma do t’u shkojë afërsisht 41 mijë fermerëve, me numrin më të madh të aplikimeve për kërkesat që lidhen me tokën e punuar dhe për blegtorët e të imtave.
Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, njoftoi se AZHBR ka kryer kontrollet paraprake për Skemën e Pagesave Direkte dhe ka përgatitur listën e përfituesve. Kjo listë po verifikohet tani përmes kontrolleve të mëtejshme, me qëllim nisjen e pagesës së këstit të parë të shumës së kërkuar nga fermerët.
Përsa i përket investimeve kapitale, 465 fermerë kanë kërkuar mbështetje për ndërtimin nga e para të fermave, si stane, ose për blerjen e traktoreve. Guri theksoi se niveli i aplikimeve këtë vit ka qenë më i larti ndonjëherë për Skemën Kombëtare, gjë që solli edhe rritjen e fondit të parashikuar fillimisht në buxhet.
Buxheti i shtetit në fillim të vitit kishte parashikuar 5.2 miliardë lekë për Skemën Kombëtare, por për shkak të numrit të madh të aplikimeve në dy skemat, fondi u rrit me 2 miliardë lekë, duke e çuar mbështetjen në total në 7.2 miliardë lekë.
Heqja e naftës nga Skema Kombëtare të këtij viti solli debate, por sipas Guri, Skema e Re Kombëtare do të rezistojë kohës pasi modeli i saj përputhet me atë që zbatohet në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se nuk pritet një ndryshim strukturor në vite të ardhshme, megjithatë mund të ketë zgjerim të skemës në varësi të fondeve që do të vihen në dispozicion.

