Policia e Cërrikut goditi një rast të krimeve kundër mjedisit lidhur me gërryerjen e paligjshme të shtratit të lumit Devoll, ndërhyrje e cila shkaktoi devijimin e rrjedhës së lumit dhe rrezikoi përmbytjen e tokave bujqësore në fshatin Gostimë. Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë L. X., 35 vjeç, banues në Cërrik; L. B., 42 vjeç, shtetas indian me banim në Cërrik; dhe B. T., 46 vjeç, banues në fshatin Shalës. Është shpallur në kërkim K. H., 22 vjeç, administratori i subjektit për llogari të të cilit kryhej aktiviteti i kundërligjshëm.
Sipas hetimeve, subjekti i drejtuar nga 22-vjeçari përdorte mjete të rënda për gërryerjen e shtratit të lumit, duke dalë jashtë koordinatave të përcaktuara në lejen që dispononte. Si pasojë e këtyre ndërhyrjeve, rrjedha e lumit u devijua, krijuar rrezik serioz për përmbytjen e tokave bujqësore në zonën e Gostimës. Gjatë operacionit, policia sekuestroi një ekskavator dhe një kamion teknologjik që përdoreshin për kryerjen e veprimtarisë.
Hetimet zbuluan gjithashtu se i arrestuari 46-vjeçar kishte ndërtuar pa leje pranë zonës ku ushtronte aktivitetin subjekti i administruar nga 22-vjeçari i shpallur në kërkim, duke shtuar elemente të tjera të kundërligjshme në territorin përkatës. Përveç procedimit penal ndaj personave përgjegjës, subjekti është ndëshkuar edhe administrativisht nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Cërrik.
Policia njofton se vijon puna intensive për kapjen e administratorit 22-vjeçar dhe se materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

