Provat e reja hedhin më shumë dritë mbi vdekjen e Elizabeth-Jane Ross, 38-vjeçares britanike që u gjet e pajetë në zonën e Kypselit në Athinë. Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga mediat greke, tregojnë të dyshuarin kryesor, Sharif Ahmadzai, 26 vjeç, duke lëvizur në rrugët e Athinës me një valixhe të zezë, ku dyshohet se ndodhej trupi i viktimës. Në regjistrime ai shihet duke tërhequr valixhen dhe duke mbajtur një çantë shpine blu; hetuesit thonë se më pas ai shkon në një ndërtesë të braktisur në Kypseli dhe lë aty valixhen me trupin e gruas. Rreth 13 minuta më vonë ai filmuar duke u larguar nga vendi i ngjarjes pa valixhen dhe pa çantën e shpinës.
Ahmadzai ka mohuar se ka kryer vrasjen dhe pretendon se e ka gjetur gruan të vdekur, por ka pranuar se ka transportuar trupin. Ai gjithashtu pranoi se ka përdorur kartat bankare të viktimës për të tërhequr para dhe se ka dërguar mesazhe mashtruese tek të afërmit e saj në përpjekje për të fshehur ngjarjen. Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të vdekjes së 38-vjeçares.
Sipas mediave britanike, përfshirë “Daily Mail”, Ahmadzai ishte i njohur në Athinë si boksier profesionist në kategorinë super të lehtë dhe për angazhimin e tij në komunitet. Ai mbërriti në Greqi në vitin 2016 si refugjat i mitur i pashoqëruar, përmes ishullit të Lesbos. Më vonë u konvertua në fenë e krishterë dhe në vitin 2023 u martua me amerikanen Aleena Hall. Bashkë ata themeluan organizatën e krishterë “Dua çdo komb në Athinë”, përmes së cilës shpërndanin ushqime dhe ilaçe për familjet në nevojë. Ahmadzai gjithashtu zhvillonte mësime falas boksi për refugjatët e mitur.
Hetimet e autoriteteve greke vazhdojnë ndërsa hetuesit përpiqen të konfirmojnë të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe rolin e çdo personi të përfshirë.

