Mungesa disa mujore e Mojtaba Khameneit nga jeta publike ka nxitur një valë spekulimesh në mediat perëndimore dhe në qarqet e inteligjencës rreth vendndodhjes dhe gjendjes së tij. Sipas një analize të publikuar nga Daily Mail, e cila citon burime të paidentifikuara të inteligjencës dhe ish-zyrtarë, për momentin qarkullojnë tre teori kryesore për liderin de facto të Iranit.
Teoria e parë parashikon se Khameneit ndodhet ende brenda Iranit, i strehuar në një bunker ose në ndonjë objekt nën tokë për arsye sigurie, dhe se ndërkohë po rikuperohet nga plagët e marra gjatë sulmeve të mëparshme. Teoria e dytë pretendon se ai është larguar fshehurazi drejt Rusisë; megjithatë, analiza vetë e përmend këtë skenar si relativisht të pamundur. Teoria e tretë, e cilësuar nga disa burime të citura si më e besueshmja, sugjeron se Khameneit është gjallë, por ndodhet në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe i paaftë për të ushtuar detyrën, ndërsa vendimet kryesore po merren nga drejtues të Gardës Revolucionare Islamike.
Analiza thekson se mungesa e tij në daljet publike, në ceremoni zyrtare dhe në mesazhet tradicionale drejtuar popullit ka shtuar dyshimet dhe ka ushqyer spekulimet mbi situatën reale të udhëheqjes iraniane. Në të njëjtën kohë, rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare kanë shpërndarë edhe thashetheme lidhur me jetën private të Khameneit, të cilat sipas raportit nuk janë konfirmuar nga burime zyrtare. Pavarësisht skenarëve të ndryshëm për vendndodhjen e tij, analiza i atribuon ndikimin më të madh në procesin e vendimmarrjes në Iran Gardës Revolucionare, e cila konsiderohet se ka konsoliduar kontrollin mbi institucionet kryesore të shtetit.
Artikulli thekson se asnjë prej pretendimeve të paraqitura në analizë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet iraniane, duke lënë kështu të hapur pyetjen mbi gjendjen dhe rolin real të Mojtaba Khameneit në udhëheqjen e vendit.

