HIMARË- Qetësia e pushuesve të Palasës u prish mbrëmjen e djeshme, nga një breshëri arme zjarri, që u raportua nga një jaht në afërsi të bregut, që fatmirësisht nuk solli pasoja. Që në momentin e sinjalizimit, dhe deri në lokalizimin e jahtit, nga ana e Policisë Bregdetare dhe asaj të Himarës, janë dashur më shumë se dy orë kohë, e mjaftueshme kjo për të zhdukur çdo provë e gjurmë nga ana e të pranishmëve në mjetin lundrues. Dy prej tyre u pikasën menjëherë pas ngjarjes duke tentuar që të largoheshin me gomone, ndërsa edhe vetë jahti është kapur në tentativë për të kaluar drejt Greqisë. Megjithatë, gjatë kontrollit nga ana e Policisë, teksa u ndalua në Porto Palermo, nuk është konstatuar asgjë e paligjshme.
Policia ishte konfuze dhe në dhënien e identiteteve të personave të ndaluar, të cilët me kalimin e orëve u bënë edhe më të qartë. Personazhe që i bën bashkë biznesi, e shkuara e dyshimtë, por edhe lidhje që mund të kenë me eksponentë të lartë të politikës.
Pasi ngjarja u bë publike, policia njoftoi se në bordin e jahtit ishte djali i pronarit të ‘Brunes’, Bruno Çela (31 vjeç) dhe një biznesmen me precedent penal për drogë, Pashk Gjini (60 vjeç). Ky i fundit ka qenë i dëuar me burg, dhe është liruar rreth 4 vite më parë, ndërsa pasuritë e tij kanë qenë gjatë gjithë kohës në filtrin e Prokurorisë.
Bruno Çela është gjithashtu anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës si pjesë e listës së PSD-së, ndërsa është lidhje e afërt e Tom Doshit, pasi është martuar me vajzën e ish-deputetit. Ndërkohë Gjini është pronar i një prej kompanive më të mëdha të prodhimit të betonit dhe ndërtimit në Shqipëri, i cili ka marrë miliona edhe nga tenderat publikë.
Veç tyre, u ndaluan edhe 31-vjeçari Leonard Hasa dhe 49-vjeçari Afrim Kastrati gjatë ndjekjes nga policia mbrëmjen e së dielës që zgjati rreth 2 orë. Të gjithë personat e shoqëruar janë lënë të lirë gjatë ditës së sotme nga Policia, edhe pse nuk ka ende një përgjigje se kush prej tyre ka qëlluar, kush e fshehu armën, dhe pse në rast se nuk bënë asgjë të kundraligjshme, personat që ishin në jaht, iu fshehën për 2 orë me radhë uniformave blu?
Në dëshminë e tyre, personat kanë pretenduar se asnjë prej tyre nuk ka pasur armë, ndërsa burimet bëjnë e dije se ngjarja dyshohet se ka ndodhur nën efektin e alkoolit. Me gjasë po të mos ishte për denoncimin e pushuesve të shumtë të Palasës, ‘festa’ me alkool dhe shkrepje armësh do të kishte vijuar, ndërsa mbetet e paqartë lidhja që ka 31-vjeçari Bruno Çela, që rezulton pronar i jahtit, me personat e tjerë që duket se kanë qenë të ftuar në mjetin lundrues.
Sipas Policisë së Himarës kanë vazhduar veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes.

