Pronari i një mjeti lundrues tip Jet Ski u gjobit me 10,000 lekë të reja dhe mjeti i bllokua pasi ia kishte dhënë me qira një 12-vjeçari. Rasti u evidentua gjatë kontrolleve nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare përballë plazhit të Dhërmiut, ku u konstatuan shkeljet.
Gjatë verifikimeve, shërbimet policore ndaluan mjetin lundrues që po drejtohej nga një shtetas 12-vjeçar dhe konstatuan se në bord mungonte dokumentacioni i detyrueshëm. Pronari i mjetit, i identifikuar si shtetasi M. Xh., u ndëshkua me masë administrative dhe mjeti u vendos nën bllokim për shkak të shkeljeve të konstatuara.
Policia Kufitare apelon te qytetarët dhe personat që japin me qira mjete lundruese që të mos ia besojnë këto mjete të miturve ose personave që nuk plotësojnë kushtet ligjore për drejtimin e tyre. Në njoftim theksohet se drejtimi i mjeteve lundruese nga të miturit rrezikon jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e pushuesve dhe përdoruesve të tjerë të hapësirave detare.
Në vijim të operacioneve, Policia Kufitare njofton se do të vazhdojë kontrollet e pandërprera përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë në det, parandalimin e shkeljeve të perimetrit të sigurisë dhe zbatimin e rregullave të lundrimit. Kontrollet intensive synojnë të zbulojnë dhe të parandalojnë praktikë që rrezikon përdoruesit e hapësirave detare dhe të sigurojnë që mjetet lundruese të operojnë me dokumentacionin dhe kushtet e nevojshme ligjore.

