Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha deklaron se hapja e një konsullate serbe në Shkodër nuk rrezikon sovranitetin e Shqipërisë dhe se asnjë shtet nuk do të lejonte prani diplomatike që cenon interesat kombëtare. Në një intervistë për Top Channel, Hoxha thekson se “hapja e një konsullate, nuk i jep shtetit dërgues asnjë lloj pushteti apo, akoma më pak, ndonjë lloj sovraniteti mbi qytetin, territorin apo popullsinë ku ajo vendoset” dhe se funksionimi i çdo pranie diplomatike bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe rregullat shqiptare.
Ai kujton se kërkesa e Shqipërisë për përfaqësim në Bujanoc përbën një objektiv të hershëm të politikës së jashtme dhe saktëson se angazhimi diplomatik me Serbinë nuk ndryshon qëndrimin e vendit ndaj Kosovës. Sipas tij, “angazhimi diplomatik me Serbinë nuk nënkupton në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë pandjeshmëri ndaj Kosovës”, ndërsa mbështetja e Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës mbetet e qartë, e qëndrueshme dhe e pandryshueshme.
Ministri thotë se hapja e konsullatës synon që shteti të jetë më pranë shqiptarëve jashtë kufijve dhe vlerëson se debati mbi çështjen është zhvilluar shpesh në mënyrë absurde, duke u përqendruar në supozime për interesa serbe në vend të interesave konkrete të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ai kritikon ata që kërkojnë hapjen e konsullatës në Serbi pa pranuar reciprocitetin, duke vënë në dukje se një qasje e tillë “nuk propozon një zgjidhje reale” dhe mund të dëmtojë objektivin që, sipas tij, shërben interesit kombëtar.
Hoxha shpjegon se vendimet për hapjen e konsullatave bazohen jo vetëm në madhësinë e komunitetit jashtë kufijve, por edhe në interesa ekonomike, kulturore, turistike dhe strategjike. Ai kundërshton barazimin e shqiptarëve të Luginës me qytetarët shqiptarë me kombësi serbe në Shkodër, duke theksuar se detyra e tij është të mbrojë interesat e Shqipërisë, ndërsa reciprociteti mbetet parim themelor diplomatik, por nuk nënkupton barazi automatike.

