Dy ditë pas zjarrit të fuqishëm që përfshiu një magazinë në Shkozet dhe la pa energji të gjithë Durrësin, situata mbetet problematike. Vatra të izoluara riaktivizohen vazhdimisht nën mbetjet e djegura, duke çliruar tym toksik që përhapet në zonën përreth dhe shqetëson veçanërisht familjet që jetojnë pranë objektit të djegur.
Familja Hoxha, banesa e së cilës ndodhet ngjitur me magazinën, ka pësuar dëme nga flakët. Për ta, ky është goditja e dytë brenda vitit, pasi në janar shtëpia u dëmtua edhe nga përmbytjet, dhe deri tani nuk ka pasur dëmshpërblim. Banorët shprehen të shqetësuar jo vetëm për dëmet materiale, por edhe për ndikimin e tymit toksik që vazhdon të mbulojë zonën.
Forcat zjarrfikëse ndërhyjnë herë pas here për shuarjen e vatrave që aktivizohen përsëri nën mbetjet e djegura. Sipas të dhënave në terren, brenda magazinës ndodheshin goma automjetesh, materiale plastike dhe fishekzjarre, elemente që favorizuan përhapjen e zjarrit dhe shtuan ndotjen e ajrit. Prezenca e këtyre materialeve shpjegon përhapjen e flakëve dhe emetimin e tymit të dëmshëm për ambientin dhe shëndetin e banorëve përreth.
Një ditë pas ngjarjes, policia arrestoi pronarin 38-vjeçar të objektit, i cili kishte marrë magazinën me qera për aktivitet ekonomik. Ai dyshohet se i vuri zjarrin disa kartonave jashtë magazinës, por flakët dolën jashtë kontrollit. Si pasojë, zjarri përfshiu edhe një tjetër objekt të marrë me qera pranë magazinës dhe dëmtoi linjën elektrike 110 kilovolt që kalon mbi magazinë dhe banesa, duke lënë zonën pa energji elektrike.
Hetimet për shkaqet dhe rrethanat e zjarrit vazhdojnë. Ndërhyrjet e zjarrfikësve për menaxhimin e vatrave të riaktivizuara dhe shqetësimi i banorëve lidhur me ndotjen e ajrit dhe dëmet materiale mbeten çështje kryesore në terren.

