Deputetja që u largua nga PS, Marjana Koçeku, reagon kundër idesë për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër dhe paralajmëron protesta. Në një reagim publik ajo thotë se vendimi “nuk do të kalojë lehtë” dhe njofton se të dielën pritet të nisin tubimet në qytet për të kundërshtuar hapjen e misionit diplomatik.
Koçeku kritikoi mënyrën se si institucionet shqiptare kanë trajtuar çështjen, duke i cilësuar “sqarime të turbullta” dhe përpjekje për ta shmangur temën. Ajo thotë se, ndërsa autoritetet flasin për parime diplomasie, marrëdhënie bilaterale dhe përfitime ekonomike, po injorohet “realiteti i një populli të masakruar”.
Si argument kundër hapjes së konsullatës, Koçeku përmend zhvillimet në Kosovë: para dy ditësh nisën gërmimet në Zubin Potok për gjetjen e trupave të viktimave të luftës së Kosovës. Dyshohet për një varrezë masive me 23 intelektualë të vrarë nga forcat serbe; deri më tash janë gjetur trupat e gjashtë prej tyre. Gjatë bastisjeve u gjet edhe armatim dhe u arrestua një person që dyshohet se kishte qenë anëtar i Ushtrisë Jugosllave. Sipas saj, ndërkohë që po bëhen këto zbulime tragjike, shteti shqiptar po diskuton hapjen e një konsullate serbe në Shkodër.
Koçeku thekson se debati publik mbi konsullatën është i përqendruar në avantazhet diplomatike dhe ekonomike, por sipas saj mungon reflektimi mbi dhimbjen dhe humbjet e komuniteteve të prekura. Ajo nënvizon se fakti që ende gjenden varre masive dhe trupa të vrarë, edhe pas mbi 25 vjetësh, e bën të papërshtatshme për të saj hapjen e një misioni të tillë pa një reflektim më të thellë të kontekstit historik dhe emocional.
Reagimi i Koçekut përfundon me paralajmërimin se çështja nuk do të harrohet lehtë dhe me njoftimin e protestave në Shkodër për të kundërshtuar vendimin e propozuar.

