Policia finalizoi dy operacione të ndryshme në Vlorë dhe Sarandë, duke arrestuar katër persona dhe sekuestruar armë, lëndë narkotike, fishekë dhe dy automjete. Në Vlorë, në kuadër të operacionit të koduar “Siguria”, u arrestua në flagrancë shtetasi E. O., 30 vjeç, banues në Vlorë. Ai u kap në një parking të një lokali në zonën e Lungomares, ku gjatë kontrollit fizik iu gjet në çantë një armë zjarri pistoletë me 6 fishekë dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike. Në total u sekuestruan 2.18 gramë kokainë dhe 4.46 gramë cannabis sativa.
Në Sarandë, u finalizua operacioni policor “Transportuesit” pas një hetimi tre-javor me metoda speciale. Gjatë këtij operacioni u arrestuan tre persona: A. N., 31 vjeç, banues në Lukovë, me precedent penal për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje; K. J., 26 vjeç, banues në Sarandë, me precedent penal në fushën e narkotikëve; dhe A. C., 30 vjeç, banues në Lukovë. Tre të arrestuarit u kapën në flagrancë në aksin Nivicë–Sarandë, pranë urës së Kakomesë, ndërsa lëviznin me dy automjete.
Gjatë kontrollit të automjetit që drejtohej nga A. N., ku udhëtonte edhe A. C., policia gjeti dhe sekuestroi 5 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila dyshohet se po transportohej me qëllim shitjen në zonën e Sarandës dhe Ksamilit. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se K. J. përdorte automjetin tjetër për të monitoruar rrugën dhe për të sinjalizuar praninë e shërbimeve të policisë.
Autoritetet njoftojnë se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Burimi i informacionit: Top Channel.

