Arman Durmishi po fiton gjithnjë e më shumë besimin e Luciano Spallettit te Juventusi. Sulmuesi 18-vjeçar i Kombëtares shqiptare U-19 mori minuta të tjera me fanellën bardhezi në përballjen ndaj Nice, ku u inkuadrua në pjesën e dytë, menjëherë pas pushimit mes pjesëve, në një moment kur Juventusi kryesonte 1-0.
I aktiv në repartin ofensiv që në hyrje, Durmishi kërkoi të ishte protagonist dhe provoi përsëri cilësitë e tij gjatë ndeshjes. Në minutën e 72-të, pas një topi të gjatë nga Kalulu, sulmuesi fitoi duelin me portierin kundërshtar përmes një driblimi të bukur, por përfundimi i aksionit nuk përfundoi në gol, pasi goditja e tij shkoi jashtë kuadratit. Pak më vonë, ai tentoi të krijonte një rast edhe për shokët e skuadrës, duke kërkuar hapësira dhe lidhje në fazën sulmuese.
Në minutën e 80-të Durmishi pati një tjetër moment aktiv, kur shpërtheu në një aksion individual drejt portës kundërshtare, por u ndal me faull nga mbrojtja e Nice. Gjatë pjesës së mbetur të takimit ai vazhdoi të tregojë prirje sulmuese dhe dëshirë për të kontribuar në krijimin e rasteve për skuadrën.
Sfida përfundoi me fitoren 2-0 të Juventusit, ndërsa performanca e 18-vjeçarit u shfaq si një seri sinjalesh pozitive për zhvillimin e tij në ambientin bardhezi. Durmishi vijon të konfirmojë veten si një nga talentet shqiptare më interesantë në futbollin evropian, duke përfituar nga minutat e dhëna për të treguar aftësitë e tij dhe për të fituar besim te stafi teknik i klubit.

