Në fund të muajit vendi përballet me një tjetër valë rritjeje të çmimeve të karburanteve, që po shtrenjtohen më tej. Tensionet në Lindjen e Mesme kanë sjellë rritje të çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, rreth 90 dollarë për fuçi, dhe kjo është përkthyer në rritje të çmimeve edhe në tregun vendas. Këtë fundjavë, nafta (diesel) është shtrenjtuar me 8 lekë për litër, ndërsa benzina me 10 lekë për litër, ndryshim që rrit menjëherë koston e çdo furnizimi dhe të çdo kilometri të përshkuar.
Të dhënat e referuara në bursën Platts të Mesdheut tregojnë se më 27 korrik nafta u importua për 1,311 dollarë për ton, ndërsa më 30 korrik u zhdoganua për 1,393 dollarë për ton. Në bursë, nafta Brent luhatet rreth 90 dollarëve për fuçi. Rritja e çmimeve këtë periudhë të sezonit turistik rëndon xhepat e qytetarëve që përdorin automjetet për rrugë të gjata për shkak të pushimeve.
Nuk ka një njoftim për ringritjen e bordit të transparencës nga Këshilli i Ministrave, ndërsa kjo situatë ka ngjallur shqetësim te shoqatat e transportit, të cilat rikërkojnë subvencionimin. Ndërkohë, vendet e rajonit kanë ndërhyrë për të zbutur efektin te konsumatorët: Serbia riktheu tavanet për çmimet e karburanteve, ndërsa Mali i Zi uli përkohësisht akcizën, duke mbajtur çmimin e naftës rreth 1.65 euro për litër.
Në Shqipëri, barra fiskale vijon të konsiderohet një nga arsyet kryesore që karburanti kushton më shtrenjtë në krahasim me zgjidhjet rajonale. Dhe për sa kohë tensionet në tregjet ndërkombëtare vazhdojnë, drejtuesit e mjeteve rrezikojnë të përballen me rritje të mëtejshme të çmimeve.

