Të paktën gjashtë persona rezultojnë të zhdukur pas shembjes së një ndërtese në lagjen bregdetare Pistunina, në periferi të Mesinës, Itali. Mes të zhdukurve janë katër anëtarë të së njëjtës familje. Deri më tani autoritetet kanë konfirmuar tre të plagosur, njëri në gjendje të rëndë.
Të plagosurit kryesorë u transportuan në Poliklinikën Universitare “Gaetano Martino” në Mesina, ku është aktivizuar plani i emergjencës dhe janë thirrur mjekë edhe nga spitale të tjera. Persona të tjerë të lënduar dërgohen në spitale të ndryshme të qytetit dhe, sipas autoriteteve, nuk janë në rrezik për jetën.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon prej orësh. Zona ku ndodhi shembja është rrethuar dhe mbyllur për qarkullimin. Zjarrfikësit po kërkojnë të mbijetuar nën rrënoja me ndihmën e ekipeve speciale USAR, qenve të trajnuar, dronëve dhe njësive SAF. Komandanti i zjarrfikësve, Michele Burgio, deklaroi se ende ka shpresa për të gjetur persona të gjallë: “Jemi ende larg kufirit kritik prej 36 orësh, ndaj ekziston mundësia për të gjetur të mbijetuar. Kërkimet po zhvillohen sipas një strategjie të bazuar në dëshmitë e mbledhura dhe në zonat ku mendohet se mund të ndodhen personat e zhdukur”.
Personat që rezultojnë ende të zhdukur, sipas autoriteteve, janë sipërmarrësi Carmelo Leone; motrat e tij Sara dhe Rosa Leone; bashkëshorti i Rosës, Santino Magazzù; punonjësi srilankez Lhairu Warnakulasuriya; dhe Alessandra Frazzica, e cila punonte si shitëse në një dyqan kinez në katin e parë të ndërtesës. Familjarët kanë bërë apel që të mos telefonohen personat e bllokuar nën rrënoja, sepse telefonat celularë po përdoren nga ekipet e shpëtimit për të lokalizuar pozicionin e tyre. Në rrjetet sociale, Clelia Magazzù shkroi se nëna dhe babai i saj janë ende të zhdukur dhe kërkoi që mos t’u telefonohen për të kursyer bateritë e celularëve.
Pallati i shembur ishte një ndërtesë e njohur në Mesina, e ndërtuar në fund të viteve 1980. Godina raportohet të ketë pasur katër kate me një sipërfaqe rreth 2.500 metra katrorë secili; në katin nëntokësor ishin magazina, kati përdhes ishte dhënë me qira për një kasap në rikonstruksion, kati i parë strehonte një dyqan të madh të administruar nga shtetas kinezë, ndërsa katet e sipërme ishin apartamentet e pronarëve.
Shkaqet e shembjes mbeten të paqarta. Prokuroria e Mesinës ka nisur një hetim ndaj personave të paidentifikuar. Sipas informacioneve paraprake, para shembjes është ndjerë një lëkundje, çka bën që autoritetet të përjashtojnë pistën e një shpërthimi; dyshimet paraprake janë për një shembje strukturore.

