Pas publikimit të propozimit të Partisë Demokratike për Reformën Territoriale, që parashikon shtimin e bashkive dhe krijimin e 100 njësi vendore, ish-presidenti Ilir Meta shpreh dakordësinë e tij dhe mbështet plotësisht këtë alternativë. Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i Partisë së Lirisë argumenton se propozimi i opozitës përbën një përgjigje ndaj dështimit të reformës territoriale të vitit 2014.
Meta vlerëson se reforma e 2014-s prodhoi efektet e kundërta të premtimeve të saj, duke larguar shërbimet nga qytetarët dhe duke përshpejtuar shpopullimin e shumë trevave historike, të cilat sipas tij kanë pasuri dhe potencial për zhvillim. Ai akuzon qeverinë për forcimin e centralizimit të pushtetit vendor, përqendrimin e kompetencave në dorën e Qeverisë dhe “mbushjen” e bashkive me patronazhistë. Sipas tij, akti i Edi Ramës për minimin e konsensusit ishte i pritshëm dhe mund të çudiste vetëm “naivët”.
Meta kundërshton variantin e mazhorancës, që lidhet me reduktimin e numrit të bashkive, duke e paraqitur atë si një rrugë drejt përforcimit të centralizimit, largimit të mëtejshëm të shërbimeve nga qytetarët dhe përshkallëzimit të shpopullimit të vendit. Në kontrast, ai përshëndet dhe mbështet plotësisht alternativën e opozitës që synon decentralizimin dhe afrimin e shërbimeve me qytetarët.
Ai thekson se alternativa e opozitës duhet të promovohet dhe të mbështetet gjerësisht, pasi është në interes të gjithë qytetarëve dhe banorëve të komuniteteve që do të përfitojnë nga decentralizimi. Sipas Metës, kjo alternativë përbën një kontribut të rëndësishëm për ndalimin e shpopullimit dhe për nxitjen e politkave të popullimit të vendit.
Meta nxit që projekti të bëhet i njohur për të gjithë shqiptarët, në çdo qytet dhe bashki, për të informuar qytetarët lidhur me një zgjidhje që, sipas tij, i jep fund “centralizimit korruptiv dhe mafioz të pushtetit vendor në duart e Edi Ramës”.

