Policia e Tiranës arrestoi në flagrancë një 32-vjeçare, e cila punonte si edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar në ambientet e kopshtit. Materialet procedurale për këtë rast i janë referuar organeve kompetente për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa policia vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasen me inicialet B. H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në kopshtin privat, për dhunën e dyshuar ndaj të miturit.
Në Komisariatin e Policisë Nr. 6, specialistët arrestuan në flagrancë shtetasin B. O., 32 vjeç, pasi pas një konflikti për motive të dobëta dyshohet se ka tentuar të godasë me automjet shtetasin L. H., dhe më pas e ka goditur me një send të fortë. Për këtë ngjarje, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u arrestuan shtetasit R. S., 20 vjeç, dhe B. R., 34 vjeç. Sipas njoftimit, gjatë një konflikti mes kushërinjsh, 20-vjeçari dyshohet se tentoi ta godiste me një armë artizanale në dukje luftarake të afërmin e tij, ndërsa 34-vjeçari paraprakisht ishte konfliktuar dhe kishte kanosur nënën e 20-vjeçarit. Për këto raste, materialet procedurale janë po ashtu referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia thekson se po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të të gjitha ngjarjeve dhe për mbledhjen e provave të nevojshme për procedimet hetimore.

