Përshtatja kinematografike e Odisesë nga Christopher Nolan ka sjellë jo vetëm miliona shikues në kinema, por edhe një rritje të konsiderueshme të interesit për poemën e Homerit dhe për mitologjinë greke. Shitjet e librave të “Odisesë” në Britani u rritën me 1.400 për qind gjatë katër javëve deri më 25 korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa përkthimi i vitit 2017 nga studiuesja britaniko-amerikane Emily Wilson është ndër botimet më të kërkuara.
Rrjeti librar Waterstones raportoi një rritje prej më shumë se 1.000 për qind të shitjeve krahasuar me vitin 2025. Interesi i lexuesve është shtrirë edhe te vepra të tjera të lidhura me botën homerike dhe mitologjinë, si “Iliada”, romani “Circe” i Madeline Miller dhe “Penelopiada” e Margaret Atwood. Në Amazon, versioni i “Odisesë” nga aktori dhe shkrimtari Stephen Fry kryeson listën britanike të librave historikë më të shitur, ndërsa edhe formatet audio kanë regjistruar rritje kërkesash.
Platforma Spotify raportoi një rritje prej 310 për qind të kërkimeve për përkthimet e “Odisesë”. Pedagogët britanikë shprehin shpresën që suksesi i filmit do të nxisë më shumë të rinj të studiojnë letërsinë dhe qytetërimin klasik. Universiteti UCL, ku Nolan studioi Homerin gjatë viteve universitare, pret një shtim të numrit të studentëve në vitet e ardhshme.
Filmi ndjek udhëtimin e Odiseut drejt shtëpisë pas Luftës së Trojës; në kast janë Matt Damon si Odiseu, Anne Hathaway si Penelopa dhe Tom Holland si Telemaku, djali i tyre. “Odisea” ka kryesuar për dy javë radhazi kinematë amerikane dhe ka arkëtuar 640 milionë dollarë në mbarë botën.
Megjithatë, filmi ka marrë edhe kritika nga figura letrare dhe akademike. Emily Wilson ka vënë në dukje se skenari nuk pasqyron thellësinë psikologjike, emocionale dhe etike të poemës, ndërsa historiania Mary Beard ka vlerësuar se ironitë dhe dilemat e veprës janë zëvendësuar nga një mesazh më i rënduar dhe stil hollivudian.

